Investimet kapitale, Hoti: Dështim i vërtetë, realizimi tepër i ulët krahasuar me buxhetin e planifikuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverisjen aktuale lidhur me investimet kapitale, duke thënë se nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për këtë vit për investime kapitale, vetëm 377 milionë euro janë shpenzuar.
Hoti thekson investimet sipas ministrive nxjerrin në pah dështimet e vërteta, ku realizimi i investimeve kapitale krahasuar me buxhetin e planifikuar është tejet i ulët.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Me gjithë tenderët e shumtë me negociim, në nëntë muajt e parë të këtij viti është shpenzuar vetëm 37% e buxhetit për investime kapitale.
Nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për këtë vit për investime kapitale, vetëm 377 milionë euro janë shpenzuar. Pjesa e mbetur prej 643 milionë euro nuk ka gjasa të shpenzohet as për së afërmi në muajt e mbetur deri në përmbyllje të vitit.
Në shumën e shpenzuar prej 377 milionë euro përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa për vendime gjyqësore, duke i ulur investimet kapitale në 295 milionë euro.
Investimet sipas ministrive nxjerrin në pah dështimet e vërteta, ku realizimi i investimeve kapitale krahasuar me buxhetin e planifikuar është tejet i ulët:
- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal 0%,
- Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare 1%,
- Ministria e Ekonomisë 9%,
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës 11%,
- Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike 15%,
- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë 15%,
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural 24%,
- Ministria e Shëndetësisë 24%,
- Ministria e Mbrojtjes 29%,
- Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit 35%.
Si rezultat i dështimeve të investimeve kapitale, ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro që do të paguheshin për qarkullim të bizneseve dhe paga të mijëra punëtorëve të atyre bizneseve. /Telegrafi/