Investimet në infrastrukturë, Qeveria hap rrugën për tre projekte rrugore, miratohen fondet e shpronësimit në Elbasan e Shkodër

Qeveria ka miratuar projektvendimin për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i aksit rrugor Papër-Ura e Grykshit. Ky segment është pjesë e projektit strategjik “Studim-projektim aksi rrugor Elbasan-Lekaj”, i cili përfshihet në kuadrin e zhvillimit të Korridorit 8.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Fondi i përgjithshëm i vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve kap vlerën e 14,667,525 lekëve. Kjo vlerë do të përballohet nga buxheti i shtetit përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
Procesi i shpronësimit pritet të jetë i shpejtë, me një afat përfundimi prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e vendimit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka marrë udhëzimin për të pezulluar çdo transaksion me këto pasuri dhe për të nisur menjëherë regjistrimin e tyre në favor të shtetit, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve në terren.
Infrastruktura në Shkodër, mbi 57 milionë lekë për shpronësimet në rrugën Bërdicë-Baçallëk
Një hap i rëndësishëm është hedhur për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Këshilli i Ministrave ka shpallur vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim, rruga Kthesa e Bërdicës – Ura e Baçallëkut”.
Vlera totale e dëmshpërblimit për pronarët e tokave të llojit “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë” është llogaritur në 57,455,087 lekë. Ky investim konsiderohet jetik për lehtësimin e qarkullimit në një nga nyjet më të ngarkuara të veriut të vendit.
Pronarët e prekur duhet të paraqesin dokumentacionin justifikues pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin për të kryer likuidimin. Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Kadastrës në Shkodër ka afat 30 ditë për të hedhur gjurmën e projektit mbi hartën kadastrale. Shpenzimet procedurale për këtë proces do të mbulohen nga ARRSH në vlerën e 70,000 lekëve.
Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafëthanë, ndryshon vlera e dëmshpërblimit për Fazën III
Qeveria ka rishikuar vlerat e shpronësimit për projektin madhor të zgjerimit të rrugës Elbasan-Përrenjas-Qafëthanë, konkretisht për Fazën III të punimeve. Përmes një amendimi të vendimit fillestar të vitit 2024, vlera totale e kompensimit ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke shkuar në 14,724,608 lekë.
Ndryshimi vjen si pasojë e përditësimit të tabelave të pasurive, ku janë shtuar sipërfaqe të reja (numrat rendorë 14-22) që rezultojnë të prekura nga gjurma e zgjerimit të rrugës. Ky segment rrugor është pjesë e rëndësishme e lidhjes ndërkombëtare, duke synuar standarde evropiane për qarkullimin e mjeteve drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Për zbatimin e këtij vendimi janë angazhuar një sërë institucionesh, duke përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës, ARRSH-në dhe Zyrën Vendore të Kadastrës në Librazhd. Ky projekt konsiderohet prioritar për rritjen e sigurisë rrugore dhe zhvillimin ekonomik të zonës së Librazhdit dhe Përrenjasit.
/rtsh.al/