E Diel, 1 Nëntor 2026

Investoi në Sarandë të ardhurat e paligjshme nga Mbretëria e Bashkuar, Prokuroria e Gjirokastrës dërgon për gjykim një person

Prokuroria e Gjirokastrës dërgon në gjyq shtetasin A.B. për ‘pastrim parash’, sekuestrohen 2 apartamente dhe makinë, të dyshuara nga veprimtari të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Prokuroria e Gjirokastrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin A.B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer më shumë se një herë.

Nga hetimet ka rezultuar se ky person ka siguruar pasuri të paluajtshme nga të ardhurat nga veprimtaria e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në qytetin e Sarandës, si dhe blerjes së automjetit “Mercedes Benz” me të cilin ushtron aktivitetin e shërbimit “transport udhëtarësh”, ky shtetas rezultoi se ka kryer veprime financiare me qëllim shmangien nga raportimi sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave, arsye për të cilën po procedohet penalisht.

Në funksion të hetimit, me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u caktua “Sekuestro preventive” mbi pasuritë që i përkasin këtij personi, konkretisht: Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 66.8m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë; Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 160.7m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë; dhe Autoveturë “Mercedes Benz”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grup-veprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›