E Diel, 1 Nëntor 2026

Portofoli Digjital kalon komisionin e ligjeve, opozita shprehet kundër menaxhimit nga AKSHI, Manja, mos ngatërroni institucionin me individin

Shqipëria ka nisur hapat për tu afruar gradualisht me standardet e BE-s edhe për sa i përket portofolit digjital i cili zëvendëson kartën fizike të identitetit dhe dokumentet e tjera zyrtare.

Drafti parashikon që përmes këtij portofoli në telefon,  qytetari ka mundësi të aplikojë për firmosjen e një kredie, të nënshkruaj kontrata apo të marr shërbime bankare pa qen nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.

“Është gjithëpërfshirës i cili i lejon përdoruesit të ruajnë, menaxhojnë dhe vërtetojnë në mënyrë të sigurt të dhënat e identifikimit të personit dhe vërtetimeve elektronike të atributeve, letërnjoftimet digjitale, patentat, diplomat, dokumentet me vulë elektronike. Portofoli i mundëson qytetarëve dhe subjekteve të ruajnë dhe të ndajnë të dhënat e tyre të identifikimit dhe vërtetimit të atributeve me konfirmim të përdoruesit”, u shpreh Bledar Kazia Drejtor i Përgjithshëm, AKSK.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e opozitës, e kanë  mbështetur projektligjin në parim por shprehen kundër menaxhimit nga AKSHI.

“Sot për sot AKSHI është struktura shtetërore e zhytur në skandale ku gjysmën e njerëzve i ka në kërkim që kanë operuar me ata, gjysmën e drejtuesve i kanë burg, gjysmën tjetër bëhen gati me shku në burg”, tha deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.

Përgjigjen për këtë shqetësim e dha kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

“Në AKSH punojnë profesionistë të shkëlqyer të këtij vendi që meritojnë respekt. Çështja për të cilën flitet dhe kërkohet të konfondohet AKSHI me përgjegjësinë e individëve të caktuar është në dyert e drejtësisë dhe duhet pritur ta thotë fjalën e vet drejtësia”, tha ai.

Ndërsa kreu i Sigurisë Kibernetike sqaroi se ky shërbim nuk do të ofrohet vetëm nga AKSHI.

“Çdo palë e interesuar mund të aplikojë pranë autoritetit kombëtar të sigurisë kibernetike për tu certifikuar si ofrues shërbimi”, tha Kazia.

Efektet financiare për një periudhë 10 vjeçare të ngritjes dhe mirëmbajtjes së sistemeve të reja përllogariten në rreth 700 milionë lekë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›