Ipeshkvijtë e Kishës Katolike për protestat: Zëri i të gjithëve të dëgjohet dhe të vlerësohet me kujdes

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar për protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë lidhur me projektin për investim në Zvërnec (Vlorë).
Përmes një njoftimi për shtyp, ipeshkvijtë e Kishës Katolike theksojnë se çdo zhvillim i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt.
“Konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë aty dhe i agjencive që merren me mbrojtjen e ambientit është më se i domosdoshëm. Për ne, kjo gjë quhet zhvillim integral që duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore si ato individuale ashtu edhe ato komunitare”, thuhet në reagim dhe apelohet që “çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh, jo vetëm krijimin e strukturave si qëllim në vetvete, por të ketë në qendër njeriun me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare”.
“Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumë të rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrjen dhe në artikulimin e shumë protestuesve. Kisha nuk ka për detyrë të gjejë zgjidhje, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë. Nuk mund të injorohet zëri i shumë njerëzve që kanë të vetmen agjendë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë e që shprehin pakënaqësinë për veprimin apo mosveprimin e politikës. Zëri i të gjithëve duhet të dëgjohet dhe të vlerësohet me kujdes e respekt nga ana e politikës, e qeverisë dhe e opozitës”, shprehen ipeshkvijtë e Kishës Katolike.
Ata ftojnë “përfaqësuesit e politikës, që të zgjedhin tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtën të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit”. /r.e/