E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani hap ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare gjatë armëpushimit. Trump: Bllokada amerikane do mbetet në fuqi

Ngushtica e Hormuzit është shpallur “plotësisht e hapur” për kalimin e anijeve tregtare për pjesën e mbetur të armëpushimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i cili theksoi se lëvizja e anijeve do të kryhet në rrugë të koordinuara dhe sipas udhëzimeve të autoriteteve detare iraniane.

Araghchi nënvizoi se vendimi vjen në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit dhe synon të lehtësojë lëvizjen e tregtisë ndërkombëtare në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet arteria kryesore për transportin global të naftës, ndaj çdo ndërprerje e saj ka ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë pas njoftimit, duke konfirmuar rihapjen e plotë të ngushticës për aktivitet tregtar. Në një postim në platformën Truth Social, ai e përshkroi situatën si “plotësisht të hapur dhe gati për biznes”, por shtoi se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e plotë të marrëveshjes mes dy vendeve.

“Procesi duhet të përfundojë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara”, theksoi Trump në reagimin e tij.

Ndërkohë, tregjet globale të energjisë reaguan menjëherë ndaj zhvillimeve. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra ndjeshëm, duke zbritur nën 90 dollarë për fuçi, pasi gjatë ditës kishte qenë mbi 98 dollarë. Edhe nafta e lehtë amerikane (NYMEX) shënoi rënie të konsiderueshme.

Para përshkallëzimit të konfliktit, çmimi i naftës Brent tregtohej nën 70 dollarë për fuçi. Megjithatë, tensionet e muajve të fundit e shtynë atë mbi 100 dollarë në fillim të marsit, duke arritur kulmin mbi 119 dollarë më vonë gjatë muajit.

Armëpushimi dyjavor midis Iranit dhe SHBA-së pritet të skadojë më 22 prill, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje afatgjatë që do të stabilizojë përfundimisht situatën në rajon dhe tregjet globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›