E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotje mjedisore në Lezhë–Kurbin, digjen goma pranë Lumit Mat. Shtëllungat e tymit mbulojnë zonën

Ndotja e mjedisit vijon të mbetet një problem serioz në zonën mes Lezhës dhe Kurbinit, ku raste të përsëritura të djegies së mbetjeve po shkaktojnë shqetësim të madh tek banorët.

Një tjetër episod është regjistruar së fundmi në brigjet e Lumit Mat, ku janë djegur goma dhe kabllo, duke prodhuar shtëllunga të dendura tymi që kanë mbuluar të gjithë zonën përreth.

Tymi është përhapur edhe në aksin kombëtar Lezhë–Milot, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë për drejtuesit e mjeteve dhe duke rritur rrezikun për aksidente. Përveç kësaj, ndotja e ajrit përbën një kërcënim serioz për shëndetin e komunitetit, sidomos për banorët që jetojnë pranë zonës ku ndodhin këto djegie.

Pavarësisht ndërhyrjeve dhe kontrolleve të shtuara nga autoritetet, situata vijon të mbetet problematike. Vetëm dy ditë më parë, Policia e Shtetit procedoi penalisht dy shtetas, të cilët u kapën në flagrancë duke djegur kabllo pranë brigjeve të Lumit Mat.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›