E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani mohon SHBA-të: S’ka kaluar anije amerikane nëpër Ngushticën e Hormuzit

Garda e Korpusit të Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) ka mohuar raportet e ushtrisë amerikane se dy anije të SHBA-së kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke i quajtur pretendimet “të pabaza dhe gënjeshtra të plota”.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane Tasnim News, IRGC deklaroi se asnjë anije tregtare apo tanker nuk ka kaluar ngushticën në orët e fundit.

“Pretendimet e zyrtarëve amerikanë janë të pabaza dhe gënjeshtra të plota”, thuhet në deklaratën e IRGC-së.

Ky mohim vjen pas njoftimeve të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila tha se dy anije tregtare me flamur amerikan kanë kaluar ngushticën si pjesë e “Projekt Freedom”, operacionit të ri amerikan për të çliruar anijet e bllokuara dhe për të rivendosur trafikun tregtar.

Sipas amerikanëve, dy shkatërrues të marinës me raketa po mbështesin operacionin në Gjirin Persik.

Ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth 20% e naftës së botës, është bërë epiqendër e një krize të rëndë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që nga fillimi i vitit 2026.

Irani ka vendosur bllokadë në ngushticë si përgjigje ndaj bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, të shpallur nga Presidenti Donald Trump në prill.

Irani ka deklaruar se ngushtica mbetet e mbyllur derisa SHBA të heqin bllokadën ndaj porteve të tij. Forcat IRGC kanë paralajmëruar se çdo anije ushtarake e huaj, veçanërisht amerikane, që tenton të hyjë do të “goditet ashpër”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›