E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani ndal sulmet ndaj Izraelit, Netanyahu: Lufta me Iranin dhe Hezbollahun nuk ka mbaruar ende

Komanda qendrore e ushtrisë iraniane njoftoi ndaljen e sulmeve ajrore ndaj Izraelit, duke deklaruar se i ka dhënë një përgjigje të fortë sulmeve izraelite në periferinë jugore të Bejrutit. Megjithatë, Teherani paralajmëroi se çdo veprim i ri nga Izraeli do të përballet me kundërpërgjigje edhe më të ashpra.

Deklarata erdhi pak pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se të dyja palët po lëvizin drejt një armëpushimi të menjëhershëm dhe se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë. Autoritetet iraniane nuk folën për armëpushim, por e paraqitën ndaljen e operacionit si përmbushje të një mesazhi të paralajmëruar më herët.

Analistët ndërkombëtarë sqarojnë se lëvizja e Teheranit synon ruajtjen e imazhit të forcës pa e çuar rajonin në një luftë totale. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër duke thënë se Irani dhe Hezbollahu janë më të dobët se kurrë.

“Luftëtarët tanë heroikë po e shkatërrojnë Hezbollahun dhe lufta nuk ka mbaruar ende”, deklaroi prerë kreu i qeverisë izraelite. Ndërkohë, presidenti Trump ka insistuar se Netanyahu nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të pranojë marrëveshjen e Uashingtonit.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›