E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani refuzon presionin e SHBA. Kreu i Parlamentit paralajmëron pasoja të rënda: Zgjidhja nuk është lufta!

Kriza mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re tensioni, pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se do të godasë infrastrukturën kritike të Iranit nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet deri të martën në mbrëmje.

Reagimet nga Teherani dhe aleatët e tij kanë qenë të ashpra, duke e cilësuar kërcënimin si “të pamatur” dhe “nxitje të hapur për krime lufte”.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, e quajti kërcënimin e Trump “të pamatur” dhe paralajmëroi se “lufta nuk sjell asgjë veç krimeve”.

Në një postim në platformën X, ai theksoi se “zgjidhja e vetme është respektimi i të drejtave të popullit iranian dhe ndalimi i kësaj loje të rrezikshme”.

Misioni iranian në OKB e cilësoi deklaratën e Trump si “nxitje të drejtpërdrejtë për terrorizimin e civilëve” dhe “provë të qartë të synimit për të kryer krime lufte”, duke u bërë thirrje shteteve të tjera që të veprojnë menjëherë për të parandaluar pasoja katastrofike.

1/ Your reckless moves are dragging the United States into a living HELL for every single family, and our whole region is going to burn because you insist on following Netanyahu’s commands.

Make no mistake: You won’t gain anything through war crimes.

— محمدباقر قالیباف | MB Ghalibaf (@mb_ghalibaf) April 5, 2026

Edhe Rusia reagoi ashpër, duke i kërkuar Washingtonit të braktisë “gjuhën e ultimatumit” dhe të rikthehet në tryezën e negociatave.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, në një bisedë telefonike me homologun iranian, theksoi se tensionet duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm iranian Ali Akbar Velayati paralajmëroi se “fronti i rezistencës” mund të synojë Ngushticën Bab El-Mandeb në Detin e Kuq, një arterie ku kalon rreth 12% e tregtisë botërore.

“Nëse Shtëpia e Bardhë përsërit gabimet e saj, do të kuptojë shpejt se rrjedha e energjisë dhe tregtisë globale mund të ndërpritet me një sinjal të vetëm,” shkroi ai.

Nga ana tjetër, zëdhënësi presidencial iranian Seyyed Mohammad Mehdi Tabatabaei deklaroi se hapja e Ngushticës së Hormuzit mund të ndodhë vetëm nëse të ardhurat nga tranziti përdoren për të kompensuar dëmet e luftës ndaj Iranit.

Ministri i Kulturës, Sayed Reza Salihi-Amiri, e quajti Trump “figurë të paqëndrueshme dhe iluzioniste”, duke shtuar se shoqëria iraniane nuk i kushton vëmendje deklaratave të tij, pasi ato janë kontradiktore dhe pa ekuilibër.

Ultimatumi i vendosur nga Presidenti Trump ka nxitur reagime të forta nga Teherani dhe aleatët e tij, duke paralajmëruar pasoja të rënda për tregtinë dhe energjinë globale nëse SHBA zgjedh rrugën e përshkallëzimit.

Ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, bota po përballet me rritje të çmimeve të naftës dhe gazit, duke e bërë këtë krizë një pikë kritike për stabilitetin ndërkombëtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›