E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-Kryeinspektori i IMT-së në Durrës arrestohet për ndërtime pa leje në fshatin Shetaj, Ishëm

Një ish-kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Durrës, i cili kishte për detyrë të luftonte ndërtimet e paligjshme, është arrestuar me dyshimin se ka qenë vetë protagonist i këtij fenomeni. Këtë të mërkurë, policia njoftoi se Ardian Halili, i cili shërbeu si kryeinspektor i IMT-së në periudhën 2017-2021, dyshohet se ka ndërtuar disa shtëpi pushimi pa leje.

Aktiviteti i paligjshëm dyshohet se është kryer në fshatin Shetaj të Ishmit, pranë Kepit të Rodonit. Bëhet fjalë për një rezidencë pushimi të njohur si “Saint Michelle Residence”, një kompleks i madh me vila, pishinë dhe parking. Ironikisht, ish-zyrtari shihej shpesh në imazhe reklamuese të resortit në rrjetet sociale.

Policia e Durrësit theksoi se arrestimi i 55-vjeçarit, banues në Tiranë, u bë nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor I IMT-së Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”, bëri me dije policia vendore.

Ndërkohë që policia deklaron se bëhet fjalë për “disa objekte”, ekzistojnë dyshime se i gjithë kompleksi mund të jetë ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, autoritetet po verifikojnë dokumentacionin e plotë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ky rast duket se është në të njëjtën linjë me operacionin kombëtar për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, i cili ka nisur prej dy muajsh.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ky aksion nuk do të ndalet dhe se do të goditen të gjithë personat përgjegjës, përfshirë edhe zyrtarët që kanë “mbyllur sytë” ndaj shkeljeve ligjore.

Arrestimi i ish-kryeinspektorit shihet si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, duke konfirmuar se lufta kundër ndërtimeve pa leje po shtrihet edhe në nivele drejtuese.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Kronika

    Të gjitha ›