Policia e kryeqytetit, me urdhër të SPAK, arreston inspektorë të IMT-së në Tiranë për korrupsion

Një operacion i madh i SPAK dhe Policisë së Shtetit ka çuar në arrestimin e dy inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë. Ata akuzohen se kanë marrë ryshfet në këmbim të mosprishjes së ndërtimeve dhe shtesave të paligjshme.
Sipas informacioneve paraprake, Gerald F. dhe Edmond Ç. janë arrestuar, ndërsa dy inspektorë të tjerë, përfshirë Klajdi Zh., janë shpallur në kërkim. Operacioni është pjesë e hetimeve të nisura nga SPAK për të goditur korrupsionin në institucionet publike.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
IMT Tirana distancohet nga punonjësit e arrestuar dhe i shkarkon menjëherë nga detyra
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) i Tiranës ka reaguar menjëherë pas operacionit të SPAK që çoi në arrestimin e dy inspektorëve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Përmes një njoftimi për shtyp, institucioni dënon ashpër veprimet e ish-punonjësve të tij.
Sipas deklaratës, IMT distancohet plotësisht nga veprimet e tyre individuale, duke i cilësuar si të papranueshme. Si pasojë, ndaj katër personave të përfshirë janë marrë masa administrative të menjëhershme, duke u shkarkuar nga detyra.
IMT thekson se mbështet plotësisht organet ligjzbatuese dhe inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm. Kjo lëvizje synon të forcojë integritetin e institucionit dhe të tregojë se abuzimet nuk do të tolerohen.
/rtsh.al/