E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-anëtari i Kushtetueses: Ja pse Kuvendi duhet ta merrte në shqyrtim kërkesën e SPAK për zv.kryeminsitren

Kuvendi shtyu sot mbledhjen e Komisionit të Mandateve, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shqyrtimin e ankimit të Kryeministrisë ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas avokatit Besnik Muçi, ish-anëtari i Kushtetueses, ky veprim është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila, sipas tij, përcakton qartë procedurat dhe afatet për vendimmarrjen e Komisionit të Mandateve.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, avokati Muçi theksoi se Rregullorja e Kuvendit e përcakton qartë se Komisioni i Mandateve ka qenë i obliguar që brenda dy javësh ta dërgojë raportin në Kuvend, duke shtuar se dispozitat përkatëse janë të qarta dhe nuk lënë hapësirë për interpretime.

“Qëndrimi i sotëm i Kuvendit është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit e përcakton qartë veprimtarinë dhe kohën e vendimmarrjes së Komisionit të Mandateve. Komisioni ishte i detyruar që brenda dy javësh ta çonte raportin në Kuvend, dispozita është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Rregullorja thotë se kryetari i Kuvendit është i detyruar që raportin e Komisionit ta paraqesë në seancën e parë plenare të Kuvendit. Asnjë instrument ligjor nuk lejon që të shtyhet vendimmarrja. Ligji është i qartë”, ka deklaruar Muçi.

Ai e ka cilësuar si të pabazuar lidhjen që po bëhet mes çështjes së imunitetit dhe mbledhjes së Komisionit të Mandateve me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndarjen e pushtetit ekzekutiv nga ai gjyqësor, duke theksuar se bëhet fjalë për dy procedura të ndryshme dhe të pavarura ligjërisht.

“Lidhja që po bëhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është e pabazuar, pasi nuk ka asnjë lidhje mes dy procedurave. Në rastin e parë kemi të bëjmë me pezullimin nga funksioni të zëvendëskryeministres, ndërsa e dyta ka të bëjë me heqjen e imunitetit. Asnjë lidhje ligjore nuk kanë”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›