E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i Rrugores së Tiranës shpallet i pafajshëm, GJKKO: Nuk provohet të ketë kryer korrupsion

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm ish-shefin e Policisë Rrugore në Tiranë, Roven Zeka, i akuzuar për korrupsion pasiv.

Vendimi i gjykatës erdhi pas një procesi ku nuk u provua se ai kishte kryer veprën penale, duke i hequr edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Zeka, i emëruar në këtë detyrë në dhjetor 2024, u arrestua më 19 prill 2025 me urdhër të SPAK, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të policisë, Edison Tabaku dhe Sokol Novaku, në kuadër të një hetimi për korrupsion. 

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, tre zyrtarët dyshoheshin se kishin marrë para nga një grua e përfshirë në një aksident rrugor, me qëllim që çështja të mos referohej në prokurori dhe të manipuloheshin hetimet.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme nisën vitin e kaluar, duke akuzuar tre zyrtarët se kishin marrë ryshfet për të mos nisur hetime mbi një aksident rrugor.

Më herët, Apeli i GJKKO kishte lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Zekën dhe Tabakun, ndërsa për Novakun masa ishte zbutur në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.

Me vendimin e fundit, GJKKO ka shpallur të pafajshëm Roven Zekën, duke i dhënë fund akuzave ndaj tij dhe duke e liruar nga çdo masë sigurie.

Për Zekën, SPAK kishte kërkuar dënimin me 4 vite burg, që me gjykim të shkurtuar të zbriste në 2 vite e 8 muaj dhe të konvertohej në 3 vite shërbim prove, por gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm. 

Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë gjykata dha vendime dënimi të pezulluar.

Edison Tabaku (oficeri i policisë gjyqësore) është dënuar me 3 vite burg, me gjykimit të shkurtuar reduktohet në 2 vite burg

Sokol Navaku (Ish-Shefi i hetimit të aksidenteve) është dënuar gjithashtu me 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 2 vite, dënim i cili është konvertuar në shërbim prove.

Shtetasi E.G., është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 1 vit burg, duke u konvertuar në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare

Shtetasi B.B., është shpallur fajtor për veprën penale të “moskallëzimit të krimit” dhe është dënuar me 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 8 muaj, dënim i konvertuar në shërbim prove

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›