Ismailaj: Investimi në Zvërnec nuk cenon biodiversitetin, do të sjellë Imijëra vende pune

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismailaj deklaroi sot se investimi i planifikuar në zonën e Zvërnecit nuk do të dëmtojë florën dhe faunën e Lagunës së Nartës, ndërsa theksoi se projekti pritet të sjellë zhvillim ekonomik dhe mijëra vende të reja pune për zonën e Vlorës.
Gjatë një interviste në medie, Ismailaj iu përgjigj kritikave dhe shqetësimeve të ngritura nga organizata ambientaliste lidhur me ndikimin e mundshëm të projektit në biodiversitetin e zonës.
Ministrja tha se deri në vitin 2012, Laguna e Nartës nuk kishte biodiversitetin që gëzon sot, duke kujtuar se në atë periudhë peshkimi kryhej edhe me mjete të ndaluara si dinamiti.
“Deri në vitin 2012 në Vlorë gjuhej peshku me dinamit. Për shkak të kësaj praktike ishte dëmtuar rëndë flora dhe fauna detare. Në atë kohë nuk kishte flamingo dhe pelikanë në Lagunë. Janë dashur 12 vite nisma dhe investime për të arritur diversitetin biologjik që ekziston sot”, u shpreh Ismailaj.
Ajo nënvizoi se qeveria ka ndërmarrë politika që kanë kontribuar në rikthimin dhe pasurimin e biodiversitetit në zonë, duke shtuar se nuk ka arsye të mendohet se investimi i ri do të ndikojë negativisht në ekosistemin e Lagunës së Nartës.
Duke folur për përfitimet ekonomike të investimit, Ismailaj theksoi se investimi do të rrisë potencialin turistik të Vlorës dhe do të krijojë mundësi të reja punësimi, veçanërisht për të rinjtë.
“Ky investim do ta bëjë Shqipërinë më të njohur në elitën e destinacioneve turistike dhe do të krijojë mijëra vende pune për vlonjatët. Të kundërshtosh një investim të tillë do të thotë të pengosh një mundësi të rëndësishme zhvillimi për zonën dhe vendin”, deklaroi ajo.
Ismailaj solli në vëmendje edhe transformimin që ka pësuar Vlora gjatë viteve të fundit, duke e krahasuar me situatën e mëparshme, kur mundësitë ekonomike dhe turistike ishin më të kufizuara.
Sipas saj, zhvillimi i infrastrukturës dhe investimet në turizëm kanë ndryshuar ndjeshëm profilin ekonomik të qytetit, duke krijuar më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim lokal.
/r.e/a.f/