E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismaili: Qytetarëve iu ofrohet shërbim sipas standardeve evropiane

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, reagoi sot në Kuvend ndaj akuzave të opozitës, duke i cilësuar debatet procedurale si të politizuara.

Ismaili tha gjatë seancës plenare, se opozita nuk mund të flasë për protesta, drejtësi apo korrupsion, duke iu referuar ngjarjeve të 21 Janarit dhe shpërthimit të Gërdecit, për të cilat, sipas saj, ende nuk është vendosur drejtësi.

“Flisni ju, që vratë 4 protestues në mes të Bulevardit! Flisni për drejtësi ju, që ende do të duhej të ishte bërë drejtësi për Gërdecin. Flisni ju për arsimin, që asnjë lek nuk hodhët në rikonstruksionin e shkollave (jo të flasim më për ndërtimin e shkollave të reja). Flisni për arsimin ju, që diplomat i jepnit rrugëve nga universiteti Vitrina & Co”, tha ajo.

Në fushën e administratës fiskale, Ismaili deklaroi se doganat dhe tatimet dikur karakterizoheshin nga korrupsioni, ndërsa sot, falë digjitalizimit të shërbimeve dhe procedurave, është reduktuar ndjeshëm perceptimi për korrupsion në këto institucione.

Duke folur për sektorin e shëndetësisë, Ismaili tha se para vitit 2013 nuk ishin kryer investime serioze në spitale dhe qendra shëndetësore, ndërsa në turizëm, sipas saj, mungonin politikat mbështetëse për zhvillimin e sektorit, në një kohë kur vendi priste rreth dy milionë vizitorë në vit.

Ismaili shtoi se Qeveria ka ndërmarrë programe të rëndësishme në mbështetje të biznesit.

“Ju biznesin nuk e mbështetët kurrë me asnjë program. Sot flasim për një nga programet më serioze që mbështet biznesin. Flisni për energjinë, që në vitin 2013 ishte një nga sektorët më problematikë, për të mos folur për gjobat nga 1 milion e gjysmë që u vinit abonentëve pa pasur fare dijeni”, vijoi ajo.

Në përfundim, ministrja Ismaili u shpreh se qeveria përballet ende me sfida të rëndësishme, por theksoi se ato kanë kaluar nga garantimi i shërbimeve bazë te ofrimi i shërbimeve sipas standardeve evropiane.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 4

/e.i/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›