Italia dhe Ballkani bashkojnë forcat për një platformë të përbashkët turistike

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Forumi i parë ministror ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua me sukses, duke afirmuar rolin e Shqipërisë si një urë lidhëse mes kulturave, historisë dhe vlerave njerëzore në rajon.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cilësoi këtë forum si shumë të frytshëm, jo vetëm për shkëmbimin e ideve, por edhe për krijimin e një platforme të përbashkët në fushën e turizmit, si një motor ekonomik dhe një shtyllë e emancipimit social.
Nisma e këtij forumi erdhi nga Ministria italiane e Turizmit, si pjesë e një angazhimi të ministres italiane Daniela Santanchè për të krijuar ura më të forta bashkëpunimi me vendet e Ballkanit.
Sipas ministres Kumbaro, rajoni i Ballkanit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të hartës turistike të Mesdheut, ku Shqipëria shfaqet si një portë hyrëse përmes Adriatikut dhe Jonit, dete që ndahen mes Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë e Malit të Zi.
Në forum morën pjesë ministrat e Turizmit të rajonit, të cilët ndanë ide dhe përvoja mbi ofertat turistike të vendeve të tyre.
“Secili vend ka specifikat e veta. Këto nuk janë sfida, por mundësi për t’u zhvilluar”, u shpreh Kumbaro.
Ajo theksoi gjithashtu se turizmi në Shqipëri është një ndër industritë më të rëndësishme dhe se vendi ynë u promovua si një model suksesi, jo vetëm nga kolegët rajonalë, por edhe nga përfaqësues të botës së biznesit që morën pjesë në pjesën e dytë të forumit.
“Shqipëria dhe Italia nuk ndajnë vetëm miqësi dhe histori të përbashkët politike, por edhe tregje të integruara turistike”, theksoi ministrja Kumbaro, teksa theksoi se bashkëpunimi me Italinë është një shembull i qartë i përpjekjeve për ta pozicionuar rajonin si një destinacion unik mesdhetar.
/a.f//r.e/