Italia zbulon megafabrikën më të madhe nëntokësore të cigareve ilegale

Policia financiare italiane, Guardia di Finanza, ka zbuluar fabrikën më të madhe të paligjshme të cigareve në historinë e vendit, e cila ishte fshehur tërësisht nën tokë pranë qytetit të vogël të Cassino, në Italinë qendrore.
Objekti gjigant nëntokësor, i vendosur nën një qendër logjistike gjoja të boshe, shtrihej në rreth 1600 metra katrorë. Oficerët zbuluan hyrjen në këtë strukturë, e cila ngjante me një bunker, përmes një kutie kontrolli të fshehur në depo.
Guardia di Finanza e përshkroi fabrikën si një “objekt të vërtetë industrial” të ndërtuar sipas “standardeve të teknologjisë së fundit”. Ajo ishte e pajisur me një linjë prodhimi me kapacitet mbi shtatë milionë cigare në ditë, një sistem ventilimi i avancuar për të parandaluar lëshimin e gazrave të dyshimta të shkarkimit, dhoma gjumi dhe jetese për 18 punonjës (duke përfshirë kuzhinë, dhomë ngrënieje dhe banjo).
Dëmi financiar i jashtëzakonshëm
Gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 150 ton cigare. Fabrika furnizonte tregun e zi si në Itali, ashtu edhe në vende të tjera të BE-së.
Vlerësohet se fitimet nga shitja e cigareve të paligjshme kapnin shifrën e rreth 900 milionë eurove.
Operatorët dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit italian një dëm prej më shumë se gjysmë miliardi euro në taksa të evazuara.
Deri më tani, si pasojë e këtij zbulimi, është kryer një arrestim dhe disa të dyshuar të tjerë janë nën hetim. Ky rast vijon të theksojë praninë e krimit të organizuar të teknologjisë së lartë në Itali.
/rtsh.al/