Izrael, opozita me sytë nga mandatet arabe/ Eisenkot kërkon aleancë për të larguar Netanyahun

schedule15:12 - 1 Nëntor, 2026
Një aleancë e re politike mund të ndryshojë balancat në skenën politike izraelite. Lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, ka bërë thirrje për bashkëpunim me partitë arabe, në përpjekje për të krijuar një shumicë të re parlamentare dhe për t’i dhënë fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut.
Eisenkot u ka ofruar partive arabe mundësinë për t’u bërë pjesë e një formule të përbashkët politike, duke theksuar se bashkëpunimi është i mundur për çdo deputet që pranon disa parime themelore mbi të ardhmen e Izraelit.
Në qendër të kësaj nisme janë njohja e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik, respektimi i Deklaratës së Pavarësisë, shërbimi i detyrueshëm ushtarak ose civil për të gjithë qytetarët, si dhe njohja e Hamasit si organizatë terroriste.
Kjo lëvizje vjen në një moment vendimtar për opozitën izraelite, e cila po kërkon të bashkojë votat për të larguar Netanyahun nga pushteti. Me 19 vende në Knesset, partitë arabe mund të luajnë rolin përcaktues në krijimin e shumicës së re.
Aktualisht, kampi i Netanyahut disponon 53 mandate, ndërsa opozita 48. Për të siguruar shumicën parlamentare nevojiten 61 vota. Pikërisht këtu merr rëndësi oferta e Eisenkotit, i cili synon të sigurojë mbështetjen e deputetëve arabë.
Lideri opozitar ka paralajmëruar gjithashtu se ndër vendimet e para të qeverisë së re do të jetë krijimi i një komisioni hetimor për sulmin e 7 tetorit 2023, si dhe vendosja e shërbimit të detyrueshëm për të gjithë qytetarët.
Ndërkohë, presidenti izraelit Isaac Herzog pritet të zhvillojë konsultimet me partitë politike për të përcaktuar se kujt do t’i besohet mandati për formimin e qeverisë. Kandidati i përzgjedhur do të ketë fillimisht 28 ditë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme, me mundësi zgjatjeje edhe për dy javë të tjera.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

