E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Poloni! Presidenti bllokon 5 gjyqtarë kushtetues, kryeministri kërkon t’i fusë në detyrë pa miratimin e tij! Opozita kërkon rrëzimin e qeverisë së Donald Tusk

Polonia, vendin më i fortë ushtarakisht i Europës Lindore është përfshirë në një krizë politike dhe kushtetuese pas pezullimit të kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese të premten e 30 tetorit.

Vendimi shkaktoi protesta në Varshavë, ndërhyrjen e policisë dhe një përplasje të drejtpërdrejtë mes presidentit Karol Navrocki dhe kryeministrit Donald Tusk. Të shtunën në mbrëmje, Tusk deklaroi se nuk do të tërhiqet, ndërsa opozita ka njoftuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Në qendër të konfliktit janë pesë gjyqtarë të rinj të zgjedhur nga parlamenti polak, të cilët nuk kanë mundur të marrin detyrën për shkak të kundërshtimit të presidentit dhe drejtuesve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Navrocki ka refuzuar të marrë zyrtarisht betimin e tyre. Ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Shvjençkovski, i emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore, nuk i ka lejuar të ushtrojnë detyrën, me argumentin se pa betimin e pranuar nga presidenti ata nuk mund të konsiderohen gjyqtarë të gjykatës.

Por gjyqtarët e rinj dhe shumica qeverisëse e kryeministrit Tusk mbështeten në një interpretim tjetër. Sipas Komisionit të Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Europës, refuzimi i presidentit për të marrë betimin nuk duhet t'i pengojë gjyqtarët e zgjedhur të marrin detyrën.

Çfarë ndodhi të premten në Gjykatën Kushtetuese?

Të premten, më 30 tetor, një grup gjyqtarësh të mbështetur nga shumica qeverisëse vendosën të pezullojnë për një muaj kryetarin Bogdan Shvjençkovski dhe nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ata nuk njihnin gjyqtarët e rinj.

Vendimi u firmos nga gjyqtarja Anna Korvin-Piotrovska, e cila mori përkohësisht drejtimin e gjykatës.

Pas këtij vendimi, kryetarit dhe nënkryetarit të pezulluar iu ndalua hyrja në godinë, ndërsa brenda ndodheshin gjyqtarët e zgjedhur nga shumica qeverisëse, të cilët presidenti nuk i njihte.

Policia rrethoi ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë për të kontrolluar hyrjet dhe për të penguar përshkallëzimin e situatës.

Ministri i Drejtësisë kërkoi gjithashtu heqjen e imunitetit të dy gjyqtarëve të pezulluar, të akuzuar se kishin penguar kolegët e rinj të ushtronin detyrën.

Vendimet shkaktuan zemërimin e opozitës konservatore, e cila akuzoi qeverinë se po përpiqej të merrte me forcë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti ndërpret udhëtimin dhe shkon në gjykatë

Presidenti Karol Navrocki, i cili po udhëtonte drejt Senegalit, vendosi të kthehej urgjentisht në Varshavë pas nisjes së krizës.

Ai shkoi personalisht në godinën e Gjykatës Kushtetuese, ku ishin mbledhur për të protestuar qindra mbështetës të opozitës .

Protestuesit brohoritën emrin e presidentit, ndërsa forcat speciale të policisë kishin krijuar një kordon sigurie rreth ndërtesës.

Navrocki hyri në gjykatë dhe qëndroi aty deri pak para agimit.

Gjatë hyrjes së tij pati edhe një incident. Sipas një videoje të publikuar nga një gjyqtar, presidenti u shty mes personave të pranishëm dhe u përplas me gjyqtaren Anna Korvin-Piotrovska, e cila kishte firmosur pezullimin e drejtuesve të gjykatës.

Stafi i presidentit dha një version tjetër të ngjarjes, duke pretenduar se persona të pranishëm ishin përpjekur ta pengonin të hynte në godinë.

Tensionet u shoqëruan edhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Tre persona u ndaluan të premten, pasi disa demonstrues dyshohet se hodhën sende drejt efektivëve dhe tentuan të kalonin gardhin e sigurisë.

Protestat vijuan edhe të shtunën, për të dytën natë radhazi.

Tusk del në televizion: Për disa çështje nuk ka kompromis

Të shtunën në mbrëmje, kryeministri Donald Tusk mbajti një fjalim televiziv, ku mbrojti ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese dhe kritikoi ndërhyrjen e presidentit.

“Për disa çështje nuk mund të ketë kompromis”, deklaroi Tusk.

Sipas tij, gjykata është dëmtuar nga ndërhyrjet politike gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore dhe qeveria ka detyrimin të rikthejë funksionimin e saj.

“Një shtet demokratik duhet të jetë i fortë dhe i aftë të zbatojë drejtësinë. Në një shtet demokratik, asnjë politikan nuk mund të hyjë në gjykatë për të dhënë urdhra apo për të frikësuar gjyqtarët, as presidenti. Ne pritëm me qetësi zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj, derisa përfunduan mandatet e paraardhësve të tyre të emëruar nga PiS. Parlamenti bëri zgjedhjen e tij, gjyqtarët bënë betimin, por presidenti nuk denjoi ta pranonte atë betim”, tha ai.

Tusk deklaroi gjithashtu se gjykata, në formën që kishte marrë gjatë qeverisjes së partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi, nuk ishte një gjykatë e mirëfilltë

Pse ka nisur konflikti mes qeverisë dhe presidentit?

Përplasja për Gjykatën Kushtetuese në Poloni nuk është e re.

Ajo nisi në vitin 2015, kur partitë Platforma Qytetare dhe Ligj dhe Drejtësi (PiS) u përplasën për emërimin e pesë gjyqtarëve kushtetues.

PiS, e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, bëri ndryshime në sistemin e drejtësisë që shkaktuan kritika dhe përplasje me Bashkimin Europian për pavarësinë e gjyqësorit.

Për shkak të këtyre reformave, Bashkimi Europian ngriu miliarda euro fonde për Poloninë.

Në një vendim të 18 dhjetorit 2025, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian konstatoi shkelje që lidheshin me përbërjen dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese polake.

Kur Donald Tusk u rikthye në pushtet në vitin 2023, premtoi të zhbënte ndryshimet e qeverisë së mëparshme dhe të rikthente pavarësinë e gjyqësorit.

Por presidenti aktual Karol Navrocki mbështetet nga kampi konservator dhe kundërshton veprimet e qeverisë.

Pra, të dyja palët pretendojnë se po mbrojnë Kushtetutën: qeveria thotë se po rikthen funksionimin e ligjshëm të gjykatës, ndërsa opozita akuzon Tusk-un se po përpiqet të marrë kontrollin e saj.

Bashkimi Europian kërkon zhbllokimin e gjykatës, por ka pikëpyetje për pezullimet

Komisioni Europian i kërkoi të shtunën presidentit Navrocki të pranojë gjyqtarët e rinj të zgjedhur nga parlamenti, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të mund të funksionojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin europian.

Megjithatë, ligjshmëria e pezullimit të kryetarit dhe nënkryetarit është vënë në diskutim.

Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Poloni e cilësoi bazën ligjore të pezullimit si “të diskutueshme”, duke paralajmëruar se ky veprim nuk do të ndihmojë në rikthimin e funksionimit normal të gjykatës.

Ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski, pranoi se ngjarjet jashtë gjykatës “nuk ishin elegante”, por mbrojti veprimet e qeverisë.

Opozita bashkohet në protesta dhe kërkon rrëzimin e qeverisë

Përplasja ka bashkuar në protesta përfaqësues të disa forcave të djathta, përfshirë partinë Ligj dhe Drejtësi dhe Konfederatën.

Në tubime morën pjesë drejtuesit e Konfederatës, Bosak dhe Mentzen, si dhe Jarosllav Kaçinski, një nga themeluesit e PiS.

“Rrëzoni Tuskun!”, ishte një nga thirrjet e protestuesve.

Ndërkohë, ish-kryeministri Mateush Moravjecki njoftoi se do të paraqesë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Tuskut.

Moravjecki, drejtues i forcës politike “Zhvillimi Plus”, të krijuar pas një shkëputjeje nga PiS gjatë verës, propozoi ngritjen e një qeverie teknike që do ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet parlamentare.

Presidenti Navrocki zhvilloi të shtunën konsultime me përfaqësues të disa partive, përfshirë Polonia 2050 dhe Partinë Popullore Polake, si dhe forca opozitare. Kryeministri Tusk nuk mori pjesë në bisedime dhe nuk u njoftua ndonjë marrëveshje.

Kriza zhvillohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027, ndërsa sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes koalicionit qeverisës dhe opozitës nacional-konservatore.TheGuardian/ Corriere

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›