Izraeli do ndërtojë kompleks ushtarak në Jerusalemin Lindor, OKB: Po e ndjekim nga afër, shkelet Konventa e 1946-s

Organizata e Kombeve të Bashkuara po shqyrton se si të reagojë ndaj njoftimit të Izraelit se do të ndërtojë një kompleks ushtarak në ish-selinë e agjencisë së OKB-së për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Jerusalemin Lindor.
Të dielën, qeveria izraelite miratoi planet për të ngritur një muze të ri të IDF-së, një zyrë rekrutimi dhe një zyrë për ministrin e Mbrojtjes në vendin e ish-selisë së UNRWA-s pranë Kodrat e Municionit (Ammunition Hill) në Jerusalemin Lindor.
“Çështja aktualisht po shqyrtohet në nivelin e këshillit ligjor, autoriteti më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara në New York”, tha zëvendëskomisionerja e Përgjithshme e UNRWA-s, Natalie Boucly, për Associated Press gjatë një vizite në Siri.
“Ato janë premisa të OKB-së dhe, të paktën, kjo përbën shkelje të Konventës së vitit 1946 për privilegjet dhe imunitetet e Kombeve të Bashkuara”, shtoi ajo.
Izraeli filloi prishjen e selisë së UNRWA-s në Jerusalemin Lindor në janar, pas viteve të masave ligjore kundër agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë dhe pasardhësit e tyre. Izraeli prej kohësh e akuzon UNRWA-n se bashkëpunon me Hamasin dhe merr pjesë në aktivitete terroriste, duke përfshirë sulmet e 7 tetorit 2023.
Ministria e Mbrojtjes izraelite nënshkroi një marrëveshje me bashkinë e Jerusalemit në dhjetor për të krijuar selitë e reja të mbrojtjes në kryeqytet dhe për të zhvendosur kolegjet ushtarake në qytet, mes hapave të tjerë.
/rtsh.al/