E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli pezullon ndihmat në Gaza, ushtria vijon sulmet duke vrarë të paktën 16 palestinezë

Fondacioni Humanitar i Gazës i menaxhuar nga Izraeli dhe SHBA, ka pezulluar sot shpërndarjen e ndihmave për palestinezët.

Organizata e cila është kritikuar gjerësisht për shkelje të parimeve themelore humanitare ka njoftuar se qendrat do të hapen sërish të enjten pas shqyrtimit të masave të sigurisë.

Ndërkohë ushtria ka paralajmëruar palestinezët e uritur në Gaza të mos i afrohen rrugëve që të çojnë në vendet e shpërndarjes së ushqimeve.

Mbyllja vjen pas vrasjeve masive pranë këtyre qendrave teksa palestinezët ishin mbledhur për të marrë ushqime dhe sende të tjera bazike.

Të paktën 58 palestinezë raportohet se u vranë në këto pika që nga nisja e operimit të katër prej tyre në të gjithë rripin e Gazës një javë më parë.

Ndërkohë sulmet në vendodhje të tjera te Gazës nuk janë ndalur. Të paktën 16 persona janë vrarë vetëm këtë të mërkurë, 12 prej të cilëve në një strehimore për familjet  e zhvendosur nga banesat e tyre.

Teksa situata sa vjen e rëndohet në Gaza, Këshilli i Sigurimit i OKB do të votojë sot, më vonë gjatë ditës një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe akses të pakufizuar në ndihma.

Ky do të jetë votimi i parë për këtë cështje që nga nëntori megjithëse nuk pritet të ketë ndonjë ndikim konkret në luftë./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›