JEMEN - Rebelët Houthi pretendojnë se kanë sulmuar sërish aeroportin e Riadit - ATSH -
SANA’A/RIAD, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë kryer një sulm të ri ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit, Riad, deklaroi sot zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Sarea.
Sipas tij, një raketë ka goditur drejtpërdrejt aeroportin.
Sarea paralajmëroi udhëtarët, kompanitë ajrore dhe personelin e tyre që të shmangin përdorimin e hapësirës ajrore saudite, duke pretenduar se ajo nuk është e sigurt për shkak të sulmeve të mundshme nga rebelët Houthi.
Deri në momentin e raportimit, Arabia Saudite nuk kishte konfirmuar zyrtarisht sulmin.
Megjithatë, autoritetet e mbrojtjes civile të mbretërisë kanë përsëritur paralajmërimet për rreziqe të mundshme në Riad dhe në provinca të tjera që prej mbrëmjes së kaluar.
Houthët kanë goditur prej javësh aeroportet dhe objektet e naftës në Arabinë Saudite.
Disa prej këtyre sulmeve kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Përshkallëzohen luftimet në Jemen
Ndërkohë, në Jemen vijojnë përplasjet e armatosura, të cilat janë intensifikuar sërish gjatë muajve të fundit.
Houthët po luftojnë kundër forcave qeveritare, të mbështetura nga milici aleate dhe Arabia Saudite, në zonën përreth qytetit strategjik Taiz.
Rebelët kanë sulmuar gjithashtu objektiva në qytetin portual jugor të Adenit, ku ndodhet qeveria e njohur ndërkombëtarisht.
Luftimet kanë përkeqësuar më tej situatën tashmë katastrofike humanitare në vend.
Ata kanë rrethuar sërish qytetin Taiz, duke lënë banorët të përballen me mungesa të ujit, ushqimeve, veshjeve dhe furnizimeve të tjera jetike.
Spitalet po përballen me mungesa të karburantit dhe medikamenteve, ndërsa agjencitë humanitare të OKB-së nuk janë në gjendje të dërgojnë ndihma në qytet për shkak të bllokimit të rrugëve, deklaroi një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 1 600 persona janë vrarë dhe më shumë se 7 300 të tjerë janë plagosur në valën e fundit të luftimeve.
Që nga fillimi i fazës së fundit të konfliktit, më shumë se 300 000 persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre. /Ad.Ab./
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
