Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Kllokotit, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Përmes një njoftimi në Facebook, ky institucion ka bërë të ditur se vendimi për ndalimin e punimeve është marrë pas inspektimeve të realizuara në terren.
“Si rezultat i këtyre gjetjeve, inspektorët kanë nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në objektin e ndërtimit, deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë”, thuhet në njoftim.
Inspektorati nuk ka dhënë detaje se për çfarë parregullsish konkrete bëhet fjalë, apo nëse gjatë inspektimit janë evidentuar shkelje të tjera.
Ndërkaq, ky institucion u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës. /Telegrafi/