E Diel, 1 Nëntor 2026

JERUZALEM – Izraeli zhvillon bisedime strategjike me Greqinë

TEL AVIV, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi sot bisedime strategjike me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në Jeruzalem.

Diskutimet mes dy liderëve u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, sigurisë, energjisë, lidhshmërisë, menaxhimit të fatkeqësive dhe inovacionit.

Një takim tripalësh me presidentin qipriot, Nikos Christodoulidis ishte planifikuar më pas.

Në kuadër të qëndrimit gjithnjë e më armiqësor të Turqisë ndaj Izraelit, pjesërisht për shkak të luftës në Gaza, shteti hebraik po i afrohet Greqisë dhe Qipros.

Të dy vendet konsiderohen rivalë të Ankarasë në rajonin e Mesdheut.

Qarqet qeveritare qipriote thanë se po shqyrtohet një bashkëpunim më i thellë ushtarak me Izraelin.

Ushtritë e tre vendeve shpesh zhvillojnë manovra të përbashkëta, dhe në shtator Qiproja dislokoi sistemin mbrojtës ajror “Barak” – të cilin ia bleu Izraelit.

Raportet e medias sugjerojnë se po shqyrtohet edhe krijimi i një force të përbashkët të reagimit të shpejtë me një total prej 2,500 trupash.

Plani parashikon 1 000 ushtarë nga Greqia, 1 000 nga Izraeli dhe 500 nga Qiproja.

Forca mund të ketë qasje në anije, avionë dhe infrastrukturë në Qipro, në një ishull grek dhe në Izrael, si dhe nga një skuadrilje nga forcat ajrore greke dhe izraelite.

Mbetet për t’u parë nëse këto plane mund të zbatohen realisht.

Para vizitës së tij në Izrael, kryeministri grek u takua gjithashtu me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Ramallah.

Përsa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme, Greqia mbështet zgjidhjen me dy shtete.

Përveç kësaj, Athina po shqyrton pjesëmarrjen në rindërtimin e Rripit të Gazës dhe në një forcë ndërkombëtare stabilizimi që do të dislokohet atje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›