E Diel, 1 Nëntor 2026

JOHANESBURG – Protesta dhe marshime pas vrasjes së nëntë grave

JOHANESBURG, 19 shtator /ATSH-ANSA/  – Marshime përkujtimore dhe protesta janë zhvilluar në Johannesburg pas vrasjes së nëntë grave, ngjarje që ka rikthyer zemërimin dhe frikën në Afrikën e Jugut për shkak të dhunës në rritje ndaj grave.

Gjatë dy muajve të fundit, policia ka gjetur trupat e nëntë grave në zonën Ekurhuleni, në lindje të Johannesburgut, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse vrasjet kanë ndonjë lidhje me njëra-tjetrën.

Shumica e viktimave ishin të moshës 20 deri në 40 vjeç. Disa prej tyre u gjetën të zhveshura dhe me shenja që dyshohet se lidhen me dhunë seksuale.

Në Johannesburg u zhvillua një garë përkujtimore në nderim të Elizabeth Moselakgomo, një prej viktimave, e cila ishte zhdukur pasi kishte dalë për vrap dhe u gjet e pajetë disa ditë më vonë.

Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe mbanin një pankartë me mesazhin: “Mjaft. Ndaloni femicidin.”

Dhjetëra persona, të veshur me të zeza, morën pjesë në marshimin përkujtimor.

Vrasjet kanë rikthyer debatin mbi dhunën me bazë gjinore në Afrikën e Jugut, ku kjo çështje u shpall katastrofë kombëtare në vitin 2025. Organizata dhe aktivistë kanë kërkuar masa më konkrete për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës.

“Mjaft. Gratë tona meritojnë të jetojnë, të ecin, të vrapojnë dhe të ekzistojnë pa frikë”, deklaroi Uyinene Mrwetyana Foundation, organizatë që angazhohet në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›