Tabaku: Kostoja e jetesës rëndon familjet, pagat nuk përballojnë rritjen e çmimeve

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se rritja e kostos së jetesës po rëndon mbi buxhetet familjare, duke e lidhur këtë situatë me nivelin e pagave, çmimet dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Në videon e publikuar në rubrikën “Këndi i Javës”, Tabaku tha se fillimi i vitit shkollor u ka shtuar familjeve shpenzime nga 11 mijë deri në 40 mijë lekë për çdo fëmijë, ndërsa kostove të tjera u shtohen ushqimet, qiraja, transporti dhe energjia.
Sipas llogaritjeve të paraqitura prej saj, rreth 40% e të ardhurave të një familjeje shkon për ushqimet bazë, ndërsa qiraja ose kësti i kredisë mund të zërë 50-60% të të ardhurave.
“Le të marrim shembullin e një familjeje me dy paga minimale. Pothuajse 90% e të ardhurave të saj shpenzohet që në fillim për ushqim dhe qira. Sipas llogaritjeve që kemi bërë, kjo familje mund ta mbyllë muajin me një mungesë prej rreth 43 mijë lekësh, të cilën duhet ta mbulojë duke marrë borxh”, tha Tabaku.
Ajo solli edhe shembullin e një familjeje me të ardhura mujore prej rreth 130 mijë lekësh, për të cilën, sipas saj, shpenzimet mujore tejkalojnë të ardhurat me rreth 9 mijë lekë. Sipas llogaritjeve të paraqitura nga deputetja, vetëm një familje me të ardhura rreth 150 mijë lekë në muaj arrin të ketë një shumë të mbetur në fund të muajit.
Tabaku deklaroi se në 15 vitet e fundit pagat janë rritur me 27%, ndërsa çmimet me mbi 34%, duke argumentuar se kjo ka ndikuar në fuqinë blerëse të familjeve.
Duke iu referuar tenderëve, koncesioneve dhe fondeve publike, deputetja i lidhi këto zhvillime me atë që ajo e cilësoi si kosto të korrupsionit mbi qytetarët. Ajo përmendi rastet e KAYO-s, inceneratorëve, tenderëve në shëndetësi dhe AKSHI-t, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
“Kur flasim për ekonominë, pagat dhe cilësinë e jetës, duhet të shohim çfarë ndodh në tryezën e familjeve shqiptare”, u shpreh Tabaku. Ajo argumentoi se rritja ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje të mirëqenies së familjeve dhe kërkoi ndryshim të politikave ekonomike dhe më shumë transparencë në përdorimin e parave publike.
/e.xh/a.f/