Jaka: Siguria ushqimore është siguri kombëtare, zero kompromis me cilësinë

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka u shpreh sot se duhet krijuar besim te konsumatori shqiptar, duke mos pasur asnjë kompromis me sigurinë ushqimore.
Në aktivitetin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jaka tha se “siguria ushqimore është siguri kombëtare”.
“Nëse i referohemi kësaj formule, rritet edhe shkalla e përgjegjësisë e secilit prej nesh, qoftë e politikbërjes, qoftë e operatorëve ekonomikë që janë në terren. Të përafrosh aktet nënligjore shqiptare me ato të BE-së është një detyrë e mbyllur tashmë, përderisa 95% e popullit shqiptar e kërkon këtë gjë”, tha Jaka.
“Është e rëndësishme të bëhet një analizë në terren. Bujqësia dhe blegtoria janë ndër problemet më të mëdha që Shqipëria ka. Mund të ketë konkurrencë të pandershme, por ne duhet ta mbrojmë fermerin dhe produktet tona. Më shumë problematik është sektori i blegtorisë qoftë në industrinë e qumështit, mishit dhe nënprodukteve të tjera”, vijoi ai.
Jaka tha se çmimi i qumështit në Shqipëri është 50% më i shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Ballkanit dhe Evropës.
“Që të krijomë besim te konsumatori shqiptar duhet të kemi institucione të përgjegjshme, laboratorë ekselentë që të mos kundërshtojmë përgjigjet që dalin nga laboratërët tanë dhe të mos kemi asnjë kompromis me sigurinë ushqimore”, theksoi Jaka.
/e.i/a.f/r.e/