Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Një grup ekspertësh nga ERA, Agjencia e Bashkimit Europian për Hekurudhat, Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit (TCT), Autoriteti Kombëtar i Sigurisë, si dhe nga Organi Austriak i Investigimit, u mblodhën në Tiranë në kuadër të një trajnimi dyditor me fokus forcimin e sigurisë në transportin hekurudhor në rajon.
Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe Hekurudha Shqiptare, e cila po angazhohet në procesin e rritjes së standardeve të sigurisë dhe përafrimit me praktikat më të mira europiane.
Trajnimi bëri bashkë zyrtarë dhe ekspertë të fushës, me synim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi parandalimin e incidenteve dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë.
Fokusi kryesor i këtij aktiviteti lidhet me objektivin strategjik të Agjencisë së BE-së për arritjen e zero aksidenteve në të gjithë rajonin.
Rritja e kapaciteteve profesionale dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit për të shmangur incidentet dhe për të garantuar siguri maksimale në transport mbetet një prioritet absolut për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në sektorin e transportit hekurudhor.
Ky bashkëpunim rajonal dhe europian vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së transportit hekurudhor në Shqipëri dhe më gjerë. /j.p/
1 nga 6