E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jam mysliman”, Ben Blushi prezanton në Shkodër veprën e tij të dymbëdhjetë

Romani më i ri i shkrimtarit dhe publicistit Ben Blushi, “Jam mysliman”, u promovua edhe në teatrin “Migjeni” në Shkodër, pas turit në disa qytete. Libri tregon historinë e një shkrimtari që nga ateist bëhet mysliman, duke trajtuar raportin mes fesë, shtetit laik dhe shoqërisë shqiptare.

“Në fakt, libri ka kaluar një proces pak të vështirë. Dy ose tre shtëpi botuese ma refuzuan. Kishin pak frikë. Nuk është se kishin probleme artistike ose të stilit, por tema u dukej delikate”, tha Blushi.

Autori ndalet te mesazhi kryesor i romanit, që lidhet me funksionimin e shtetit laik dhe lirinë e shprehjes.

“Ky libër është një lloj testi, një lloj sensori për tolerancën e shoqërisë. Për fat, Shqipëria është një vend liberal, sipas meje. Kjo nuk do të thotë që nuk ka ishuj të shoqërisë që nuk janë radikalë, në kuptimin që duan të mohojnë liritë e të tjerëve, përfshirë shkrimtarët, artistët apo njerëzit e lirë“, u shpreh autori.

Romani i drejtohet të gjithë lexuesve, pavarësisht bindjeve apo besimit të tyre.

“Kushdo mund ta lexojë, qoftë një ateist, një besimtar, një njeri nga Shkodra, nga Vlora, nga Korça apo nga Tirana dhe mund t’ju them që libri është lexuar shumë, pavarësisht se ka pas debat, por është lexuar shumë“, theksoi Blushi.

“Jam mysliman” është libri i 12-të i Ben Blushit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›