Lushnjë/ Ndezi zjarr për të djegur mbeturinat, flakët përfshinë pronën e fqinjit, arrestohet 57-vjeçari

Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në pronën e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në tokën e fqinjit.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin me inicialet I. K., 57 vjeç, banues në fshatin Lumth.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, kur 57-vjeçari dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturinat. Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri përfshiu pronën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., ku u dogjën një mjet bujqësor (zetor), një rimorkio dhe baza ushqimore për blegtorinë.
Gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në pronën e tij, A. A. pësoi djegie dhe u transportua në Spitalin e Lushnjës, ku po merr mjekim. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke paralajmëruar se shkelësit do të përballen me ligjin.
/rtsh.al/