Janaqi: Rishikimi i kurrikulës arsimore domosdoshmëri, prioritet inteligjenca artificiale dhe teknologjia

TIRANË, 7 prill/ATSH-Maela Marini/ Rishikimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar si dhe ndryshimi i teksteve të lëndëve Edukatë Qytetare, Gjuhë Shqipe si edhe të lëndëve të tjera, u prezantuan sot nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, në një seancë dëgjimore në komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Gerti Janaqi parashtroi disa nga ndërhyrjet në këtë drejtim, që sipas tij do të sjellin edhe përafrimin me tregun e punës.
Janaqi solli në vëmendje se në vitin 2013 u ndërmor reforma e parë e gjithë kurrikulave në arsimin parauniversitar, reformë që shoqëroi të gjitha grupmoshat.
“Kemi hyrë në vitin e 14-të të zbatimit të kësaj reforme dhe është parë e nevojshme përditësimi i kurrikulës dhe i procesit të mësimdhënies në disa drejtime”, shtoi ai.
Janaqi veçoi përditësimin lidhur me inteligjencën artificiale dhe çështjet e teknologjisë, pasi sipas tij është bërë domosdoshmëri integrimi i këtyre elementëve në gjithë proceset mësimore.
Po ashtu, Janaqi theksoi se pandemia ishte një nga momentet kryesore që preku mungesën e fleksibilitetit në procesin e mësimdhënies.
“Ka një lëvizje paneuropiane dhe më gjerë për të forcuar shkencat, teknologjinë dhe gjithë profilet shkencore. Po ashtu, ka lindur domosdoshmëria për përditësimin për të garantuar lidhjen me tregun e punës”, tha ai.
Janaqi theksoi se nga të dhënat që vijnë nga BE, flitet për një lidhje të domosdoshme për profesionet e së ardhmes të vitit 2030, ku elementet klasikë mësimorë duhet të rishikohen për t’i paraprirë jo vetëm zhvillimit teknologjik, por edhe lëvizjeve më të gjera në kontekstin social.
“Vetëm në harkun e 6 muajve të fundit Ministria e Arsimit ka ndërmarrë, edhe në bashkëpunim me bashkitë, Festivalin e Shkencës, një lëvizje masive që finalizohet në datën 25 prill, me finalen e madhe. Kjo lidhet me kurrikulat, sepse Festivali i Shkencës nxjerr pjesën praktike të procesit të mësimdhënies”, shtoi Janaqi.
Një element tjetër që lidhet me domosdoshmërinë e përmirësimit të kurrikulave, sipas tij, “është edhe forcimi i identitetit kombëtar”.
“Në rastin konkret ka pasur nevojë edhe për një rishikim dhe forcim të elementëve të gjuhës shqipe kryesisht në klasën e 10-të, si dhe të çështjeve të qytetarisë, ku janë vendosur disa elementë të rinj, si edukimi mediatik apo çështje të respektit komunitar”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai theksoi se “janë përditësuar të gjithë dokumentet e arsimit parauniversitar si dhe programet mësimore”.
“Këtu nuk flasim për një plan që ndodh brenda një viti. Kemi përditësuar tashmë 57 programe që lidhen me klasat e para, klasat e gjashta dhe klasat e dhjeta, me synimin që ky shtator që vjen të na gjejë me tekste të përditësuara apo të reja si në rastin e Qytetarisë dhe Gjuhës Shqipe për klasat e dhjeta”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Janaqi nënvizoi se 170 tekste të tjera janë përditësuar. Ai vlerësoi ekspertizën ndërkombëtare në këtë proces, ndërsa informoi se po ashtu janë angazhuar edhe 200 profesorët më të mirë që ka Shqipëria.
Për të pasur një kurrikul më fleksibël, Janaqi theksoi se vëmendje të shtuar i është kushtuar programit të aktiviteteve ekstrakurrikulare apo programit pas shkolle.
Ai informoi se programi passhkollor do të pilotohet fillimisht në disa shkolla në Tiranë.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6/j.p/r.e/