“Janari, muaji drepresiv”/ Psikologia: Një rutinë pozitive duhet të jetë e pranishme çdo muaj, jo vetëm në janar

Psikologia Destemona Çelo, në një intervistë në “Virtual Wars”, në ABC News, foli për ndikimin që ka muaji janar, në jetën e përditshme, i cili ndryshe quhet edhe si muaji i dëshpërimit.
Gjatë intervistës, psikologia shpjegoi përse janari shihet edhe si muaj depresiv, duke renditur një sërë faktorësh.
“Janari mund të cilësohet si një muaj i vështirë për shumë njerëz, sepse vjen direkt pas festave, ku ishim në kontakt me njerëz të ndryshëm. Shumë individë vendosim objektiva të reja. Muaji janar lidhet edhe me shpenzime të larta. Pritshmëritë e larta që individët i vendosin vetes, këto dhe të tjera ndikojnë në një gjendje melankolike dhe trishtimi”, ka thënë ajo.
Më tej shtoi se duhet të ndiqet një rutinë e shëndetshme për çdo njëri për të rritur pozitivitetin dhe pritshmërinë për veten.
“Rutina e rregullt është e rëndësishme, duhet të kemi një agjendë për veten. Një rutinë pozitive duhet të jetë e pranishme çdo muaj”, ka thënë më tej ajo.
Çelo këshilloi se në disa raste kur personat nuk arrijnë të ja dalin dot, duhet edhe të konsultohen me psikologët.
“Është shumë e rëndësishme për të kuptuar se cilat janë nevojat më emergjente. Më pas duhet të shohim se cilët faktorë në mjedisin përreth na bëjnë të ndjehemi mirë dhe çfarë jo. Duhet të kuptojmë nëse janë faktorë të jashtëm apo vetë individi që bëhet pengesë”, tha më tej ajo.
/abcnews.al/