“Janina do t’i kalojë Greqisë”, dëshmia në dosjen britanike FO 800/103 për Shqipërinë! Dokumentet britanike më 1913-n
ALBERT HITOALIAJ
Kjo korrespondencë e Foreign Office-it e datave 23–27 tetor 1913 përbën një dëshmi serioze të qëndrimit britanik ndaj çështjes së Korçës gjatë përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar. Vlera e saj nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e deklaratës, por edhe në nivelin institucional ku ajo u formulua. Këto dokumente përbëjnë një burim parësor me rëndësi për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për studimin e procesit diplomatik të përcaktimit të kufijve të saj në vitin 1913.
Referenca arkivore e dokumenteve: The National Archives (TNA), Kew, United Kingdom. Foreign Office, FO 800/103, fol. 500. “Letter from (Charles) Hubert Montgomery to Lord Stamfordham concerning Sir Edward Grey’s thanks for the letter from Colonel A. M. Murray concerning Koritza, and the agreement it should go to Albania not Greece”, 27 October 1913. [Dosja 500: Letër nga (Charles) Hubert Montgomery drejtuar Lord Stamfordham-it në lidhje me: falënderimet e Sir Edward Grey-t për letrën e kolonelit A. M. Murray mbi Korçën, si dhe dakordësinë që ajo t’i takojë Shqipërisë, e jo Greqisë].
DOKUMENTI 1
27 tetor 1913. Çështja e Korçës.
Falënderime për letrën e kolonelit Murray. Qëndrimi i Ministrisë së Jashtme.
(Shënim A. H. : ky është shkrimi i daktilografuar mbi faqen që mbështjell dokumentet)
DOKUMENTI 2
23 tetor 1913. York Cottage, Sandringham, Norfolk.
I dashur Tyrrell, Mbreti dëshiron nga mua, që t’ju dërgoj letrën e bashkëngjitur. Autori i saj është koloneli A. M. Murray, ish-oficer i Artilerisë Mbretërore, vëllai i Sir George Murray-t. Madhëria e Tij nuk mendon se kjo është një çështje në të cilën ne mund të ndërhyjmë. Ju lutem, kthejeni letrën pasi ta keni shqyrtuar, pasi më duhet të dërgoj një përgjigje.
Me konsideratë të veçantë, Stamfordham (nënshkruar).
Sir William Tyrrell, K.C.M.G. Sekretar privat, Ministria e Jashtme, Londër.
DOKUMENTI 3
23 tetor 1913. Për Sir W. Tyrrell-in. Çështja e Korçës [Letër me shkrim dore].
Dërgohet një letër nga koloneli A. M. Murray, i cili këmbëngul që qyteti [Korça] t’i kalojë Greqisë dhe jo Shqipërisë. Kjo është praktikisht e njëjta gjë me letrën që ju është dërguar nga Sir G. Murray. Falënderojeni Lord Stamfordham-in dhe thojini se, ju kishit marrë tashmë një letër të ngjashme nëpërmjet Sir George Murray-t dhe, se, mendoni që koloneli Murray duhet të jetë keqinformuar, pasi, sipas të gjitha informacioneve që ju kanë mbërritur deri tani nga ata që kanë një përvojë të gjatë dhe njohuri të thella etnologjike për vendin, Korça është me popullsi mbizotëruese shqiptare, dhe jo greke. (Këtë ia kam treguar zotit Vansittart, i cili sugjeron këtë përgjigje.)
H. M. 24.X.13. (Shënim A. H. : shigjetë që tregon faqen tjetër të daktilografuar) shtesë.
Shkrim anash faqes, majtas: “Kështu u përgjigj: 27 tetor 1913”.
[Shënim A. H. : Inicialet H. M. qëndrojnë për (Charles) Hubert Montgomery]
DOKUMENTI 4
27 tetor 1913. KOPJE e letrës së zotit Montgomery drejtuar Lord Stamfordham-it.
I dashur Lord Stamfordham, Sir Edward Grey dëshiron t’ju falënderojë që i dhatë mundësinë të njihej me letrën e bashkëngjitur, të kolonelit Murray. Ai dëshiron t’ju bëjë të ditur se Sir George Murray i kishte dërguar tashmë një letër të ngjashme, nga vëllai i tij. Sir Edward mendon se koloneli Murray duhet të jetë keqinformuar, pasi, sipas të gjitha informacioneve që kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme, nga persona me përvojë të gjatë dhe me njohuri të thella etnologjike për vendin, Korça është me popullsi mbizotëruese shqiptare, dhe jo greke.
Austria dhe Italia nuk do ta pranonin në asnjë mënyrë kalimin e saj te Greqia dhe, për rrjedhojë, është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Fuqive që ajo t’i kalojë Shqipërisë. Janina, natyrisht, do t’i kalojë Greqisë. (Nënshkruar) H. M.
JANINËS…
“Janina do t’i kalojë Greqis딖 këto pak fjalë në atë dokument diplomatik janë trishtuese. Mbyllej një epope shqiptare. Nuk ishte vetëm Korça shqiptare, por ishte edhe Janina, e konsideruar në burime të ndryshme të kohës, si kryeqyteti i Shqipërisë Jugore, sidomos në periudhën e Ali pashë Tepelenës. E ndër mend më vjen Gjoleka…
Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail bej Vlora, me trupat e tij, më 1823-1824 luftonte për Portën e Lartë kundër kryengritjeve në Vilajetin e Janinës, por ashtu si Ali pasha ai synonte shkëputje e pushtet autonom. Ky e mbante Zenel Gjolekën pranë vetes, si trim besnik. Në 5 janar 1829, autoritetet osmane në Janinë, në atë që u quajt “Masakra e Janinës”, vranë me tradhti Ismail bej Vlorën. Porta e Lartë, e cila ishte vënë në dijeni për aktivitetin antiosman të bejlerëve e kapedanëve shqiptarë, vendosi t’i zhdukë sa më parë ata. Kjo ishte arsyeja “Masakrës së Janinës” (5 janar 1829) dhe “Masakrës së Manastirit” (9 gusht 1830), ku me tradhti u vranë rreth 500 krerë shqiptarë antiosmanë. Zenel Gjoleka, i helmuar për vrasjen e komandantit të tij, mori hak duke vrarë Rushit pashën. Dhe kënga popullore thotë: «Gjoleka s’e turpëroi / Nxorri pallën dhe qëlloi / Selam ke nga Ismail beu…» (Xoxi 1983, f. 29).
“Sipas revistës vjetore kronikale greke «Neos kuvaras», botuar në vitin 1966 në Athinë, thuhet se Zenel Gjoleka, pasi vrau Kaftan Agasiùn turk në vitin 1830, u hodh në Himarë dhe andej shkoi në Greqi. Atje vrau një kapedan grek, pse i kishte prekur sedrën kombëtare. Për këtë akt qeveria greke e kishte burgosur (Kokalari 1979, f. 264). Zenel Gjoleka, kapedani nga Kuçi i Labërisë, ishte djalë i ri kur vrau Kaftan again brenda shtatores së tij, mes ushtarëve osmanë. Trimëria e tij u bë shpejt e njohur: «Gjoleka në Shur të Kuçe, / këmisha mbi gju hajduçe, / pallëlara me cullufe, / shytergjënd me njëzet strufe, / e mban Gjoleka mbi supe.» (Shuteriqi 1971, f. 88).
Jetoi si kryengritës maleve të Labërisë. Bashkë me Tafil Buzin, Çelo Picarin, Hodo Nivicën e Rrapo Hekalin etj., ai është nga kapedanët më zëmëdhenj që luftonin kundër Portës së Lartë. Të njëjtën trimëri tregoi edhe i biri, Myslim Gjoleka, kur luftonte kundër trupave të dërguara nga mbreti grek Jorgo, në mesin e shkurtit të vitit 1878, në mbrojtje të Lëkurësit, Sarandë. Fitorja e tij ishte e bujshme dhe mendjehollë dhe populli i ngriti këngë: «Gjoleka Jorgos i shkroi: / “Unë odat do t’i shtroj” / Jorgo qéni e besoi, / Dhe asqerët i dërgoi / Myslim trimi ja shkurtoi, / Gjak u bë ngado që shkoi, / Hajde Gjoleka i shkretë, / Ju të dy e s’ka të tretë.» (Kokalari 1979, f. 88).
E bashkë me Janinën mbetën në Greqi edhe vise të tjera dhe një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare. Kështu ndodhi, që nga Gjolekë, ata pasardhës shqiptarë të Greqisë që mbetën në shtetin e ri grek, u shndërruan në “Gioulekas”. Ndoshta do vijë dita që dikush prej tyre të dalë këtyre anëve e të kërkojë rrënjët e fisit dhe, do të zbulojë paraardhësit e tij, – Gjolekët me emër të madh: “ǒpate që t’u drodh mjekra / Pate frikë nga Gjon Leka? / Gjon Leka me shur’e kuq, / Fustan’e zi gjer më gjut. . .”
/Gazeta Panorama