Jaupaj: Parku Kombëtar i Vjosës, shembull i menaxhimit të lumenjve të egër

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Lumenjve, ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, përkujtoi 3-vjetorin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, një arritje të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri dhe në Europë.
“Vjosa është sot i vetmi park kombëtar i një lumi të egër në Europë, një model unik për ruajtjen e kësaj pasurie të jashtëzakonshme për brezat që do të vijnë”, deklaroi ministri Jaupaj.
Ai theksoi se shpallja e Vjosës Park Kombëtar përbën një shembull për menaxhimin e lumenjve të egër dhe një kontribut të rëndësishëm për biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
Në kuadër të përkujtimit të kësaj dite simbolike, ministri Jaupaj njoftoi hapjen e Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës në Përmet, një hapësirë e re e projektuar nga Ministria e Mjedisit.
Qendra do të shërbejë si: një pikë për informim shkencor mbi ekosistemet e lumit; një pol ekoturistik pranë lumit të fundit të egër në Europë; një hapësirë edukative dhe ndërgjegjësimi për qytetarët dhe turistët mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Ministri Jaupaj theksoi se hapja e Qendrës Multifunksionale është një tjetër hap drejt forcimit të turizmit ekologjik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit, duke garantuar që Vjosa të ruhet si një pasuri e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.
Ai shtoi se institucioni që drejton do të vazhdojë të mbështesë dhe të zhvillojë projekte të tjera për menaxhimin e lumenjve dhe hapësirave natyrore, duke e bërë Shqipërinë një shembull në mbrojtjen e mjedisit në Europë.
Ky trevjetor shënon një moment të rëndësishëm për natyrën shqiptare dhe një angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e lumenjve të egër, biodiversitetit dhe zhvillimin e ekoturizmit, duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe vizitorët ndërkombëtarë.
/e.xh/r.e/