Jaupaj nënshkruan me homologen e Kosovës memorandumin për mekanizma të unifikuar monitorimi në lumin Drin

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj zhvilloi sot një takim me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fitore Pacolli.
Jaupaj, e cilësoi këtë takim si një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkufitar mes Shqipërisë e Kosovës.
Ministri Jaupaj deklaroi se ka një qasje të re në menaxhimin e burimeve ujore, e cila u shënua sot në ministrinë e Mjedisit përmes nënshkrimit të Memorandumit për Lumin Drin.
“Së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Fitore Pacolli, dakordësuam për ndërtimin e mekanizmave të unifikuar të monitorimit, shkëmbimin e të dhënave dhe koordinimin në terren në të dy anët e kufirit, për të adresuar sfidat që lidhen me cilësinë e ujit”, tha Jaupaj.
Jaupaj tha se projektet e përbashkëta europiane janë po ashtu një mundësi e mirë me synimin për të sjellë investime, ekspertizë dhe zgjidhje të qëndrueshme për gjithë zonën që përshkohet nga Drini.
“Ky stad i ri shkon përtej kufijve administrativë, duke vendosur një model të ri bashkërendimi te punëve, ku mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i qëndrueshëm ecin paralelisht me fokus mirëqenien e qytetarëve tanë dhe biodiversitetit”, përfundoi Jaupaj.
/e.i/j.p/