E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Logopedisë në spitalin rajonal Elbasan, 4 vite në ndihmë të pacientëve me çrregullime të të folurit

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Spitali Rajonal i Elbasanit është në proces të vazhdueshëm modernizimi që përfshin investime në teknologji dhe infrastrukturë që i shërbejnë 450 mijë banorëve të qarkut.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bëri me dije se prej katër vitesh, shërbimi i Logopedisë në këtë spital është në mbështetje të pacientëve me çrregullime të të folurit dhe komunikimit.

Sipas MShMS-së, prej 4 vitesh, falë përkushtimit të logopedit Serxho Peçaku, ky shërbim është zhvilluar duke ndihmuar si fëmijët ashtu edhe të rriturit në përmirësimin e komunikimit dhe rehabilitimin e tyre.

“Kur një fjalë nuk verbalizohet nuk është thjesht heshtje, është një botë e tërë e cila nuk po dëgjohet. Më shumë se prej 4 vitesh, në spitalin rajonal të Elbasanit, logopedia është një nga pikat kyçe me të cilët shërbejmë për fëmijët dhe të rriturit”, tha Peçaku.

Sipas logopedistit Peçaku, çrregullimet e të folurit dhe komunikimit prekin fëmijë dhe të rritur, nga vonesa në të folur te vështirësitë në artikulim, deri te spektri i autizmit.

“Te fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit, komunikimi nuk është gjithmonë fjalë, por çdo përpjekje është një hap drejt lidhjes me botën”, vijoi ai.

“Nëse një fëmijë nuk flet në kohën e duhur, nuk reagon, nuk verbalizon, atëherë ndërhyrja e hershme është çelësi i këtij suksesi. Të flasësh është aftësi, por të komunikosh është jetë. Pas çdo përpjekje fshihet një fitore dhe pas  çdo tingulli një hap drejt jetës”, përfundoi Peçaku.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›