Java e 3-të e Superiores, përfundojnë ndeshjet e të shtunës

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Pasditen e sotme u luajtën dy sfidat e para të Javës së 3-të të kategorisë “Abissnet Superiore”. Tirana barazoi në stadiumin “Selman Stërmasi” 1-1 me Flamurtarin, kurse në Ballsh, Bylisi humbi minimalisht përballë Egnatias.
Trajneri Roberto Bordin i “Tiranës” debutoi kështu me barazim në stolin kryeqytetas. Në minutën e gjashtë të ndeshjes, Tabeku i gjendur i vetëm përballë portës vlonjate, pas një goditjeje këndi, shënon me kokë. Për vlonjatët barazoi Sami në minutën e 53-të, pas një hapësire të lirë të lënë nga kryeqytetasit përpara pikës së penalltive.
Egnatia siguroi fitoren e parë për këtë sezon të ri të Superiores, përballë Bylisit, ku të dyja skuadrat ktheheshin në fushë pas pushimit për ndeshjet e Kombëtareve.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ku rastin më të mirë për shënim e kishin miqtë nga Rrogozhina. Në minutën e 37-të Ndreca gaboi nga pika e bardhë e penalltive.
Pjesa e dytë ishte më e luftuar e me raste më të shumta shënimi.
Ruçi shënoi për rrogozhinasit në minutën e 56-të, golin e vetëm të ndeshjes, duke i dhënë kështu fitoren parë për këtë sezon të ri futbollistik kampionëve në fuqi.
Ishte përsëri Ndreca, i cili në të 66’, pas një krosi të ardhur nga krahu i djathë i sulmit rrogozhinas, e përplasi topin në traversë.
Në dy javë, ballshiotët kishin marrë barazime ndaj Tiranës dhe Flamurtarit, ndërsa rrogozhinasit e nisën me humbje kundër Vllaznisë dhe u ndalën nga Elbasani.
Po sot, në ndeshjen e orës 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi” Vllaznia mposhti Partizanin me rezultatin e thellë 4-1 (36′ (p), 90’+1′ (p) Balaj, 90’+3′ Hakaj, 90’+7′ Bismark / 26′ Isgandarli).
Pas ndeshjeve të sotme, Vllaznia udhëheq renditjen e përkohshme të Superiores me 6 pikë (2 fitore e një humbje).
Të dielën luhen dy ndeshjet e tjera të vlefshme për Javën e 3-të, ku Teuta pret në “Niko Dovana” Vorën, kurse Elbasani pret Dinamo City-n. Ndeshjet luhen në orën 19:00.
Java e tretë e Superligës. Foto: Agim Dobi 1 nga 13