E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Më 16 shtator hapim 4 kapituj të tjerë negociatash me BE, rekord për shpejtësinë e procesit

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Shqipëria do të hapë më 16 shtator edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropianë. Vendi ynë do të mbajë të martën, me ftesë të Danimarkës, Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE.

Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë Kapitullin 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).

Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh sot se, “Shqipëria nuk ndalet”.

“Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim”, shkroi Rama, në një postim në rrjetet sociale.

Këto 4 kapituj, shtoi Rama, “u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash”.

“Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, mbi fusha të rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi, janë tanimë në tryezë”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se, “u vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”.

Më 22 maj u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3: “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor

Më 24 mars 2020 ministrat për Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.

Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 1 – Themeloret.

Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 6 – Marrëdhëniet e jashtme.

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt, e cila u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm, dhe ku BE vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›