E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java e 6-të e Superiores, fitojnë Dinamo City e Vllaznia

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Pas derbit të kryeqytetit Partizani-Tirana (0-3) të luajtur mbrëmjen e të premtes, janë luajtur sot dy ndeshje të vlefshme për Javën e 6-të të kategorisë Abissnet Superiore.

Dinamo City ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur në “Selman Stërmasi” ekipin e Flamurtarit me shifrat 2-0 (45+3’ Guindo, 74’ Nani).

Blutë kanë dominuar përballë vlonjatëve në krizë, por nuk po gjenin golin. Një ndihmë ia dhanë situatat e çuditshme pas 30 minutash, pasi Çantakias i dëmtuar i la vendin në fushë Veigas dhe ky i fundit u ndëshkua menjëherë me të kuq, pas rishikimit të ndërhyrjes nga sistemi VAR, për një faull ndaj Guindos. Me një lojtar më shumë blutë morën kontrollin e plotë të lojës dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i Guindo-s para pushimit.

Dominimi vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, teksa Dinamo City shënoi përsëri me anë të Nanit, pas një aksioni të shpejtë të anësorit dhe një gjuajtjeje mjeshtërore në hyrje të zonës së rreptësisë, që përfundoi në krahun e djathë të portës vlonjate.

Pak minuta më vonë erdhi një tjetër episod i çuditshëm, pasi Ferruku i sapofutur në fushë u ndëshkua me të kuq për një goditje ndaj portierit, duke vendosur baraspeshën në numrin e lojtarëve në fushë.

Në minutat e mbetura nuk ndodhi thuajse asgjë dhe Dinamo City mori tri pikët që kërkonte për të vazhduar ngjitjen në tabelë, me vlonjatët që mbetën në vendin e fundit.

Në ndeshjen tjetër, atë midis Vllaznisë dhe AF Elbasanit, të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, u zhvillua përballja direkte për kreun, ku Vllaznia mposhti AF Elbasani me rezultatin 1-0.

Kuqeblutë dominuan me lojë, sidomos pjesën e parë, ku edhe gjetën golin e vetëm të fitores në minutën e 41-të. Pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë të sulmit, Kastrati depërton në zonën elbasanase dhe kroson për Jagon, i cili e dërgon sferën në rrjetë. Pjesa e parë shënoi edhe disa raste të vendasve, por ishte traversa  në një rast e shtylla pingule në një tjetër që ndalën topin. Në pjesën e dytë miqtë e rritën lojën e tyre, por pa mundur të barazonin.

Me këtë fitore Vllaznia merr kryesimin e klasifikimit me 13 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 11.

Dy takimet e fundit të javës së 6-të janë programuar për të dielën. Vora-Egnatia do të luhet në orën 14:00 në Laç, ndërsa Teuta-Bylis në “Niko Dovana” në orën 17:00.

Abissnet Superiore – JAVA e 6-të

E premte, 3 tetor
Partizani – Tirana                 0-3

E shtunë, 4 tetor

Dinamo City – Flamurtari      2-0
Vllaznia – AF Elbasani           1-0

E diel, 5 tetor
Vora – Egnatia                     14:00
Teuta – Bylis                        17:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›