E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java e ardhshme pritet të nisë me mot të qëndrueshëm, parashikohet ulje e temperaturave në tre ditët e para

Ditët e rënduara nga moti i keq me reshje shiu do t‘ia lënë vendin një moti më të qëndrueshëm. Sipas Shërbimit Meterologjik Ushtarak, pritet të ketë një ulje intensiteti të reshjeve deri në fund të kësaj të shtune, ndërsa dita e diele do të shoqërohet me reshje vetëm në zonat malore.

“Gradualisht, reshjet e shiut do të humbasin intensitet dhe territor, duke u lokalizuar deri në orët e mbrëmjes vetëm në relievet malore. Ditën e diel, reshjet e shiut pritet të jenë prezentë në mënyrë  të herë pas hershme, por vetëm në relievet malore, me intensitet të ulët”, u shpreh sinoptikania Besa Sherollari.

Java tjetër parashikohet të ketë një qëndrueshmëri të motit deri ditën e mërkurë, por temperaturat do të pësojnë ulje.

“Vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme, të cilat do të sjellin mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira kalimtare. Një rënie të temperaturave e presim ditën e hënë dhe të martë, ku në zonat malore termometri pritet të shkojë deri në -2 gradë celsius, ndërsa në zonat e ulëta dhe në bregdet, në vlerat e mesditës, termometri pritet të shkojë në 16 dhe lokalisht në 17 gradë”, theksoi sinoptikania.

Intensiteti i erës do te jetë në rënie, ndërsa valëzimet në det nuk do ta kalojnë forcën 3 ballë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›