“Je i çmendur”/ Mediat izraelite: Trump bisedë të tensionuar me Netanyahun, por pa fyerje

Sipas burimeve izraelite të cituara nga N12, gjatë dy telefonatave mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu, nuk ka pasur fyerje nga ana e Trumpit ndaj kryeministrit izraelit.
Megjithatë, bisedat kanë qenë të tensionuara dhe janë përqendruar te deklaratat dhe postimet në rrjetet sociale.
Pas telefonatës së parë, Trump njoftoi armëpushim në Liban mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa në të dytën tonet janë ashpërsuar.
Të dyja palët kanë shprehur pakënaqësi për keqkuptimet rreth qëndrimeve për luftën dhe armëpushimin.
Më herët u raportua se, Trump, gjatë një bisede telefonike, e kishte akuzuar Netanyahun se po vepron në mënyrë të pakontrolluar dhe se po e çon Izraelin drejt izolimit ndërkombëtar. Presidenti amerikan thuhet se i ka kujtuar kryeministrit izraelit mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë gjatë viteve, duke e paralajmëruar se veprimet aktuale po shkaktojnë zemërim në rritje ndaj Izraelit në shumë vende të botës.
Shkaku kryesor i tensionit mes dy liderëve lidhet me zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite në Libanin jugor dhe sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Beirut. Trump, ndonëse mbështet luftën kundër Hezbollahut, besohet se është i shqetësuar për numrin e lartë të viktimave civile dhe për pasojat politike që këto veprime mund të sjellin në rajon.
Një nga shqetësimet më të mëdha të administratës amerikane është ndikimi që lufta ka mbi negociatat me Iranin. Teherani kishte njoftuar pezullimin e bisedimeve me SHBA-të, duke argumentuar se sulmet izraelite në Liban po krijonin kushte të papranueshme për vazhdimin e dialogut. Ky zhvillim shkaktoi alarm në Uashington, pasi administrata amerikane e konsideron arritjen e një marrëveshjeje me Iranin si një nga objektivat kryesore të politikës së saj në Lindjen e Mesme.
Më vonë, Trump deklaroi publikisht se kishte zhvilluar një bisedë “shumë produktive” me Netanyahun dhe se situata ishte qetësuar. Ai gjithashtu pretendoi se tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut po shkonin drejt rënies dhe se negociatat me Iranin ishin rikthyer në rrugën e duhur.
Ekspertët vlerësojnë se pas kësaj përplasjeje fshihet një dallim i madh strategjik mes Trumpit dhe Netanyahut. Trump kërkon stabilitet rajonal për të avancuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike me vendet arabe, ndërsa Netanyahu përballet me sfida të brendshme politike dhe gjyqësore, duke e konsideruar sigurinë kombëtare dhe vazhdimin e presionit ndaj kundërshtarëve rajonalë si prioritete kryesore.
Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa zhvillimet e ditëve të ardhshme pritet të tregojnë nëse presioni amerikan do të arrijë të frenojë konfliktin apo nëse rajoni do të përballet me një fazë të re përshkallëzimi ushtarak.