Kuvendi censuron fjalën e opozitës në Komisionin e Jashtëm, Vokshi: Synimi është i qartë: të mos bëhet publike kushtet që BE i kërkon qeverisë shqiptare

Deputetja e PD-së Albana Vokshi, përmes një postimi në rrjetet sociale, akuzon mazhorancën për censurë ndaj Opozitës në Komisionin parlamentar për çështjet europiane.
Sipas Vokshit, në Komision ndodhi një tjetër akt i papranueshëm që dëshmon degradimin e standardeve demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Postimi i plote:
Sot, në Komisionin për Çështjet Europiane, ndodhi një tjetër akt i papranueshëm që dëshmon degradimin e standardeve demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Në vazhdën e përjashtimit sistematik të opozitës nga procesi i integrimit europian, pas refuzimit të vënies në dispozicion të pozicioneve negociuese për Grupkapitujt III dhe VI, në momentin kur kërkova fjalën për procedurë, u ndërpre transmetimi live i sinjalit të komisionit.
Ky nuk është një incident teknik. Është një simptomë e një problemi shumë më të thellë: mungesës së vullnetit të mazhorancës për ta trajtuar opozitën si pjesë legjitime dhe të domosdoshme të procesit të integrimit europian.
Po ndërtohet një proces i mbyllur, hermetik dhe pa transparencë, ku opozita përjashtohet nga informacioni, nga debati dhe nga ushtrimi i funksionit të saj kushtetues të kontrollit parlamentar. Synimi është i qartë: të mos bëhet publike ajo që Bashkimi Europian i kërkon realisht qeverisë shqiptare dhe të shmanget çdo llogaridhënie për dështimet dhe mangësitë e evidentuara në procesin e negociatave.
Integrimi europian është projekti më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Ai nuk është pronë e qeverisë dhe as monopol i shumicës parlamentare. Integrimi është një proces kombëtar, që kërkon transparencë, gjithëpërfshirje dhe kontroll demokratik.
Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi ka një rol të përcaktuar qartë në ligj dhe në standardet europiane. Ne jo vetëm kemi të drejtën, por kemi detyrimin kushtetues të ushtrojmë mbikëqyrjen parlamentare mbi procesin e anëtarësimit.
Në vend që të përballet me gjetjet e IBAR, rekomandimet dhe detyrimet që burojnë prej tij, qeveria zgjedh të fshihet pas procedurave formale dhe amendimeve pa përmbajtje.
Po aq shqetësues është fakti se angazhimet e marra me Rezolutën për Procesin e Integrimit Europian, të miratuar me konsensus të plotë në Kuvend, vazhdojnë të mbeten vetëm në letër.
Kjo rezolutë parashikon qartë se Kuvendi duhet të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin e tij ligjbërës dhe mbikëqyrës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian; se duhet të forcohet kontrolli parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv në respekt të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve; dhe se mazhoranca duhet të garantojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare dhe në procesin e integrimit.
Asnjë nga këto angazhime nuk mund të realizohet duke i mohuar opozitës informacionin, fjalën dhe transparencën.
Për këto zhvillime shqetësuese do të informojmë Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Komisionin Europian, si dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.
Kujtoj se enkas për këtë shqetësim ka dhe një letër të Kryetarit te Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Mcallister, i cili e ka konsideruar të prapranueshme këtë sjellje përjashtuese të mazhorancës.
Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin e opozitës, mungesën e transparencës dhe dobësimin e demokracisë parlamentare.