“Jeni prioritet për ne”/ Rama me pensionistët në Berat: Çfarë iu është rritur këtë janar, do iu pesëfishohet në janar të 2030-ës

Gjatë qëndrimit në Berat, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim edhe me pensionistët e këtij qytetit.
Takimi vjen në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, nga ku theksoi se po vijohen politikat mbështetëse ndaj pensionistëve, duke filluar nga indeksimi tek rritja reale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se, pensionistët kanë qenë prioritet për qeverinë socialiste dhe se rritja e pensioneve ka qenë gjithmonë dhe më e vështirë.
“Më vjen mirë që kam qëndruar në këtë detyrë deri kur u bë e mundur që më në fund të përcaktonim një plan financiar të mbështetur nga buxheti, për një kapërcim real të pensioneve, nga pamjaftueshmëria ku ishim në një novel të arsyeshëm. Qysh në krye të herës pensionistët kanë qenë prioritet për mua dhe për ne, por rritja e pensioneve ka qenë dhe është gjithnjë më e vështira. Nëse skema e sigurimeve shoqërore nuk është solide, bëhet tejet e vështirë që të imagjinosh një rritje të vazhdueshme të ekonomisë. Shpesh herë, sillet në vëmendje që rriten pagat e deputetëve, janë vetëm 140.
Rritja e pagave të të tjerëve duhet që t’i gëzojë pensionistët, sepse në çdo pagë që rritet ka një kontribut që rritet për ju. E pamë qartë mundësinë. E kaluam fazën e parë të qeverisë duke mbushur gropa të panumërta dhe më pas kaluam me rimbursimet. Ne ia dolëm që të jemi i vetmi, që nuk e ka rritur, por e ka ulur çmimin e energjisë elektrike. Kemi arritur në pikën, që të vijmë dhe t’iu takojmë ju pa ndrojë.
Të gjithë duhet ta dinë se çfarë iu është rritur këtë janar dhe që vazhdon çdo muaj do iu dyfishohet në janarin e ardhshëm, do iu trefishohet në janarin e 2028-ës, do iu katërfishohet në janar të 2029-ës dhe do iu pesëfishohet në janar të 2030-ës. Shikoni se ai që flet më shumë për ju në studio, paguan më pak për ju, sepse pagën e jep në të zezë, sepse nuk ka asnjë respekt për ju dhe iu do vetëm mish për top për qeverinë”, tha kryeministri.
Skemë e re pensionesh
Gjatë takimit me pensionistët e njësisës nr.2 në Tiranë, po ditën e sotme, Rama u shpreh se jemi në një fazë tjetër përsa i përket pensioneve dhe paralajmëroi ndryshime në skemë.
Kryeministri theksoi se do rishikohet skema për pensionistët e vetëpunësuar dhe të atyre që vazhdojnë të punojnë.
“Më në fund ashtu sikur e kishim dëshiruar, për t’ia dalë erdhi momenti kur ekonomia na e krijoi këtë mundësi. Duke filluar nga janari i këtij viti ju merrni pensione më të larta. Çdo janar pensioni rritet. Janarin e ardhshëm rritja do jetë dyfishi. Për të arritur tek ajo shumë e cila na jep mundësinë për të arritur objektivat që kemi vendosur për ju. Ne ndërkohë kemi diksutuar për të tjera ndryshime në skemën e pensioneve. Duke filluar të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për ata që duan të kursejnë më shumë për një pension më të lartë në të ardhmen. Do rishikojmë skemën e pensionistëve të vetëpunësuar dhe të atyre që vazhdojnë të punojnë. Ne ndërkohë kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidët. Thelbi i të gjitha këtyre është ndryshimi i ekonomisë që na i jep këto mundësi. Lajmi i mirë sot është që kemi kaluar në një tjetër nivel, qoftë në aspektin e prodhimit të përgjithshëm”.