E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e tarifave nga “One Albania”, ja çfarë thotë kreu i AKEP

Pas ankesave të shumta të abonentëve të kompanisë “One Albania” lidhur me rritjen e tarifave që pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj 2026, ka ardhur edhe reagimi i kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

I pyetur nga News24, kreu i AKEP Gentian Sala tha se institucioni që ai drejton është në komunikim të vazhdueshëm me operatorin dhe se çështja po ndiqet nga afër.

“Kemi komunikim të vazhdueshëm me operatorin telefonik, por edhe javën që kaloi specifikisht për këtë çështje. Nëse ka vend për vendim, do marrim një vendim; për çdo ankesë do ketë një përgjigje”, u shpreh Sala.

Reagimi vjen pas shqetësimeve të abonentëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësi në rrjetet sociale dhe në media, duke e cilësuar rritjen e tarifave si të padrejtë, pasi sipas tyre shërbimi mbetet i pandryshuar pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Sipas njoftimit të dërguar nga kompania “One Albania”, rritja e tarifave do të jetë deri në 2.2% dhe bazohet në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.

Abonentët argumentojnë se efekti i përsëritur çdo vit kthehet në një barrë të shtuar për familjet, duke paguar më shumë për të njëjtin nivel shërbimi.

LEXO EDHE: “One Albania, kompani hajdute”/ Gazetari: Nuk rriten tarifat kur ulet cilësia e shërbimit. Duhet hetuar edhe nga SPAK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›