E Diel, 1 Nëntor 2026

Jet Ski brenda perimetrit të sigurisë në Ksamil, pronari gjobitet me 500 mijë lekë

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë një patrullimi në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin.

Hyrja e mjetit në këtë zonë përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e pushuesve.

Pas përfundimit të veprimeve administrative, Jet Ski-u u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj.

Policia e Shtetit u bën apel përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.

Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë vijës bregdetare, me synim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e një sezoni sa më të sigurt për pushuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›