Prefekti Hajdari: 5 vatra aktive në Tiranë, nuk përjashtohet zjarrvënia e qëllimshme

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e qarkut të Tiranës, ndërsa prefekti Shkëlqim Hajdari deklaroi se situata paraqitet e përmirësuar, por nuk përjashtohet mundësia që zjarret të jenë të qëllimshme.
Në një prononcim për mediet, Hajdari tha se pesë vatrat ndodhen në distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra dhe janë shfaqur brenda së njëjtës ditë.
“Kemi 5 vatra shumë larg njëra-tjetrës. Nuk përjashtohet zjarrvënia e qëllimshme, pasi kanë shpërthyer në të njëjtën ditë”, u shpreh ai.
Sipas prefektit, deri tani zjarret nuk kanë prekur banesa apo biznese, ndërsa prioritet mbetet izolimi i të gjitha vatrave.
“Për fatin e mirë zjarri nuk ka prekur banesa dhe biznese. Tani detyra jonë është t’i izolojmë të gjitha vatrat. Jemi në një situatë të përmirësuar”, tha Hajdari.
Ai u bëri apel qytetarëve të Tiranës të rrisin vigjilencën dhe të raportojnë në kohë çdo vatër zjarri, duke theksuar se vatrat fillimisht të vogla mund të përhapen shpejt.
Ndërkohë, situata vijon të monitorohet edhe në zonën e Daiasit, mes Lundrës dhe Priskës, ku u shfaqën tre vatra mbrëmjen e së mërkurës.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga dy helikopterë.
Vëmendja e strukturave është përqendruar në izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së tyre drejt zonave të banuara.
/gj.m/j.p/