KANADA – G7 në ditën e dytë të samitit pa Trump, konfliktet në qendër të diskutimeve

KANANASKIS, 17 qershor /ATSH-DPA/- Samiti i ekonomive kryesore demokratike, G7 nisi sot ditën e fundit të diskutimeve në Kanada, por pa udhëheqësin kyç, presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Dje në mbrëmje, zëdhënësja e Trump njoftoi se presidenti i SHBA-së po kthehej në Uashington më herët – për shkak të konfliktit në rritje midis Iranit dhe Izraelit.
Izraeli nisi të premten sulme ndaj Iranit dhe që atëherë sulmet hakmarrëse midis dy vendeve – kanë kërcënuar një konflikt më të gjerë në të gjithë rajonin.
Largimi i parakohshëm i Trump nga samiti është një pengesë për G7, pasi takimi u pa si një provë e unitetit përballë problemeve të mëdha ndërkombëtare.
Në samit do të diskutohet lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës, në një seancë ku pritet të marrë pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky kishte planifikuar gjithashtu të zhvillonte bisedime dypalëshe me Trump.
Trump e bëri të qartë se ai në asnjë rast nuk do të bashkohej me iniciativën e përbashkët për sanksione të mëtejshme kundër Moskës.
Ai shprehu skepticizëm në lidhje me sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë.
Gjithashtu, udhëheqësit e G7-ës kanë planifikuar të diskutojnë sot sigurinë energjetike – me vendet partnere që marrin pjesë në samit si të ftuar, duke përfshirë, kryeministrin australian, Anthony Albanese, kryeministrin indian, Narendra Modi, presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenten meksikane, Claudia Sheinbaum, presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.
Krahas Kanadasë, vendit pritës, G7 përbëhet nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia – dhe Bashkimi Evropian.
Rusia u përjashtua nga grupi – i quajtur më herët G8 – pasi aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014. //a.i/