MOSKË – Koreja e Veriut do të dërgojë mijëra trupa shtesë në Rusi

MOSKË, 17 qershor /ATSH/- Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-ministër i Mbrojtjes Sergei Shoigu zhvilloi sot bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, në Moskë – për herë të dytë brenda dy javësh, sipas “Reuters”.
Koreja e Veriut do të dërgojë 1 000 specialistë të pastrimit të minave dhe 5 000 ushtarë në rajonin e Kurskut të Rusisë – për të ndihmuar në rindërtimin e tij pas inkursionit ukrainas, tha sot sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu.
Shoigu tha se po zbatonte ato që ai i quajti “udhëzime të veçanta” nga presidenti Putin.
Vizita e Kim erdhi në një kohë kur lidhjet midis Moskës dhe Phenianit – të cilat po forcohen përballë asaj që ata e quajnë një “Perëndim armiqësor” – po zhvillohen me ritëm të shpejtë, dhe disa ditë pasi ai tha se treni i parë direkt që nga viti 2020 midis Moskës dhe Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut, ishte nisur.
Shoigu tha se shpresonte që fluturimet direkte midis Moskës dhe Phenianit do të rifillonin gjithashtu, për herë të parë në më shumë se 30 vjet.
Vizita e mes Kim dhe Shoigu ka të ngjarë të shqyrtohet me kujdes në Perëndim, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e Jugut dhe vetë Ukraina e kanë akuzuar Korenë e Veriut se i ka ofruar Rusisë ndihmë masive ushtarake – për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës, diçka që as Moska dhe as Pheniani nuk e kanë pranuar publikisht.
Vendet fqinje kanë nënshkruar një partneritet strategjik. Marrëveshja përfshin një klauzolë mbi ndihmën e ndërsjellë ushtarake në rast se njëra prej dy fuqive bërthamore sulmohet nga një vend i tretë.
Shoigu tha se bisedimet kishin zgjatur më shumë se dy orë.
Ai tha në një konferencë për shtyp se Koreja e Veriut, së shpejti do të fillonte rindërtimin e Kurskut pasi Moska – e ndihmuar nga mijëra trupa të Koresë së Veriut – dëboi forcat ukrainase në fillim të këtij viti – pas një inkursioni të papritur në gusht të vitit 2024.
Ukraina ka luftuar pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë për më shumë se tre vjet.
Gushtin e kaluar, trupat ukrainase nisën një ofensivë të papritur në rajonin e Kurskut dhe mbajtën një pjesë të vogël të territorit për disa muaj.
Ushtria ruse e shpalli rajonin “plotësisht të çliruar” në fund të prillit.
“Lideri Kim Jong ka vendosur të dërgojë 1 000 çminues në Rusi për të çminuar territorin rus, si dhe 5 000 specialistë ndërtimi ushtarakë për të rindërtuar objektet e infrastrukturës të shkatërruara nga pushtuesit”, tha agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS duke cituar Shoigu. //a.i/