KAS rrëzon kërkesën e PD-së për pavlefshmëri të rezultatit të 11 majit në qarkun Shkodër

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore e cila kërkoi pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Shkodrës, si të pambështetur në ligj dhe në prova.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së PD-ASHM-së, KAS me shumicë votash vendosi që të lërë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të votimit për qarkun e Shkodrës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike mori 5 mandate deputetësh, Partia Socialiste mori 4 mandate, Partia Socialdemokrate mori dy mandate. /j.p/